Për t’u futur në sallën e kuvendit këtë të enjte, deputetëve të opozitës u duhej të kalonin më parë një gardh të ngjeshur me gardistë që kontrollonin një listë të parapërgatitur nga administrata. Pastaj në korridor i priste një kontroll i imët në skaner, gjithnjë nën diktatin dhe presionet e ushtarëve të gardës. Të përjashtuarit me gjithë përpjekjet që bënë duke shtyrë dhe përplasur, nuk u futën dot në sallë.

Rama duke hyrë në kuvend nga dera e pasme
Rama duke hyrë në kuvend nga dera e pasme

Kur tensionet ishin të larta në hyrjen kryesore të parlamentit, diku nga pjesa e pasme e oborrit në anën e Akademisë së Shkencave u shfaq me duart në xhepa dhe kokën ulur kryeministri Edi Rama.

Ngadalë, teksa çapitej i qetë drejt hyrjes dytësore, Rama ecte i qetë. Kuptohet se lëvizja i vetëm nuk qe e rastësishme. Kryeministri ishte informuar paraprakisht se tensioni ishte përqëndruar në hyrjen kryesore dhe për të, rruga ishte e lirë.

Një foto tjetër e bërë disa sekonda më parë, tregon se Rama nuk ishte aq i qetë kur u afrua pranë kuvendit. Ai ruhet nga një grup gardistësh të rreshtuar në dy anët e rrugës, megjithëse policia kishte marrë masa ta boshatiste rrugën nga kalimtarët e rastit.

Edhe në sallën e parlamentit ndodhi një episod me dy pjesë.

Kur u votua autorizimi i kërkuar nga SPAK për arrestimin e Sali Berishës, Edi Rama nuk dha asnjë shkas për të tërhequr vëmëndjen.

Salla oshëtinte nga zhurma e protestës së opozitës, por Rama qëndroi i heshtur. Në një moment shkëmbeu ndonjë fjalë me Elisa Spiropalin, por aq. Pjesën më të madhe të kohës e kaloi duke parë, me kokën mbështetur në dorën e tij të djathtë.

Rama duke votuar pro autorizimit për arrestimin e Sali Berishës
Rama duke votuar pro autorizimit për arrestimin e Sali Berishës

Kur erdhi momenti i votimit, pa lëvizur asnjë muskul në fytyrë, ngriti automatikisht kartonin dhe u largua nga salla pa as edhe një emocion në 9 minutat që zgjati seanca parlamentare.

Pak orë më vonë, në profilin e kryeministrit në Facebook u transmetua darka e fundvitit me trupin diplomatik të atashuar në Tiranë.

Rama me ambasadorin e BE ne darkën e fundvitit
Rama me ambasadorin e BE ne darkën e fundvitit

Ndërsa sapo kishte votuar për arrestimin e liderit të opozitës, kryeministri dëgjohet t’u thotë ambasadorëve se ky ishte një vit i mirë. Pastaj ngre një dolli për një vit tjetër të mbarë për të dhe për vendin.

Por sado që u përpoq të shfaqet i shpenguar ditën e sotme në sytë e publikut, Lapsi.al mësoi se kryeministri ka qenë tërësisht i dedikuar që votimi për arrestimin e Sali Berishës të kalojë pa incidente. Masat e rrepta të gardistëve që kishin rrethuar vendet e opozitës ishin vetëm njëra anë e medaljes.

Lapsi.al mësoi se me të mbaruar seanca parlamentare, kryeministri Rama ka thirrur në takim kryetaren e kuvendit, Lindita Nikollën, kreun e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi dhe Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla. Qëllimi i takimit ka qenë përshpejtimi i procedurës që autorizimi i parlamentit për SPAK të mos votohej me asnjë sekondë, sepse duhej të dërgohej me urgjencë në destinacion.

Rama u ka kërkuar Nikollës, Çuçit dhe Ballës të merrnin çdo masë dhe të bënin ç’ishte e mundur që autorizimi për SPAK të mos vonohej qoftë nga burokracitë e kuvendit, qoftë nga vonesat në postë.

Postieri që mbërriti në SPAK me zarfin ku ishte autorizimi i kuvendit për arrestimin e Sali Berishës
Postieri që mbërriti në SPAK me zarfin ku ishte autorizimi i kuvendit për arrestimin e Sali Berishës

Jo më kot, pak pasi mbaroi seanca parlamentare e kuvendit, në derën e SPAK u shfaq edhe postieri, që dorëzoi autorizimin e kuvendit për arrestimin e Sali Berishës.

Detaji është shumë domethënës. Tregon se për arrestimin e Sali Berishës, Rama nuk i lë asgjë rastësisë.

Kuptohet se kostumi i zyrtarit të ftohtë, që e veshi para kamerave në kuvend ishte sa për sy e faqe. është e njëjta fasadë që i shkon deklaratave publike, sikur çështja “Berisha” është një çështje që i përket drejtësisë dhe për të cilën Rama ngurron të komentojë.

Sepse në prapaskenë, kryeministri Rama është investuar që asnjë detaj të mos bëhet pengesë. Sepse në të vërtetë ai interesohet personalisht, që mekanizmi të mos ngecë asnjë minutë dhe zarfi me autorizimin për Arben Krajën të shkojë sa më parë të jetë e mundur.