Shkruan: Shqiprim Pula

Shkrimtari i poezive Shqipe, Esad Mekuli, më 1938, shkruan vargje revolte – A asht fajtor Shqiptari? – Me këto vargje poeti Esad Mekuli, përshkruan dhimbjen për kolonizimin dhe sllavizimin e trevave Shqipëtare nga Jugosllavia/Serbia.

Sot, në Kosovën Lindore (Serbinë Jugore), treva këto, të banuara nga Shqiptarët vazhdon pezullimi selektiv dhe masiv i adresave të përhershme, e njohur edhe si politika Serbe e ‘pasivizimit të adresave’ për Shqiptarët!. Kjo, bëhet sipas Ligji për Qëndrim të Përhershëm dhe Qëndrim të Përkohshëm, si dhe, Ligji i Vendbanimit; si masë administrativo-politike, që ka pasoja eklatante për të drejtat fundamentale qytetare, të mijëra qytetarëve të etnisë Shqiptare në Kosovën Lindore (Serbinë Jugore).

Kjo politikë Serbe e ‘pasivizimit të adresave’ ka ulur ndjeshëm numrin e votuesve Shqiptarë prej vitesh tashmë, kështu, duke e lënduar qenien e tyre dhe dëmtuar përfaqësimin e tyre politikë në nivel lokal e qëndror, poashtu, ka rrezikuar qasjen e Shqiptarëve në shërbimet e sigurisë, të ekonomisë, të shëndetësisë dhe atyre sociale.

Politika Serbe mbi ‘pasivizimin e adresave’ duhet kuptuar si heqjen e shtetësisë dhe mohimin e të drejtës mbi pronat, si dhe, si rikolonizim i trevave Shqipëtare.

A asht fajtor Shqiptari?