Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga samiti rajonal i Shkupit, që procesi i anëtarësimit në BE i vendit që ai drejton, të ndahet nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

Ne jemi shtet normal e demokratik që duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me një shtet që nuk është demokratik, dhe sipas organizatave më prestigjioze ndërkombëtare vlerësohet regjim hibrid. Nuk duhet të penalizohemi. Më 15 dhjetor të vitit 2022 kemi dorëzuar aplikimin zyrtar për anëtarësim në BE. Presim nga Komisioni Evropian pyetësorin me mijëra pyetje e do të jemi të durueshëm e vëmendshëm t’u përgjigjemi të gjithave.

Por, nuk është fer që një shtet ku vullneti për t’u anëtarësuar në BE është 94 për qind të mbetet peng i çështjes së normalizimit me një shtet ku vullneti i anëtarësimit mbetet 35 për qind e mbetet prapa nesh sa i përket sundimit të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave. Duhet të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në BE nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë, citohet Kurti.  

Qëndrimi vjen ndërkohë që zyrtarë të lartë amerikanë kanë bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të respektojnë marrëveshjen e Ohrit. Ndërkohë edhe Serbia preferon që të ndajë anëtarësimin nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovës, si një proces që implikon njohjen zyrtare të saj.