Homazh për një hero të pashpallur të arsimit!
Sot ka vdekur Feriz Krasniqi!
Në vitet ’70-të kur sapo ishte themeluar Universiteti i Prishtinës, Profesor Feriz Krasniqit i kishte qëlluar të shkonte për ngushëllime në një rast vdekjeje në një fshat. Kur e morën vesh që ai ishte profesor universiteti, një plak i kishte thënë: “A e dini ju atje në universitet që ne pleqtë kur po lidhemi në namaz, tash nuk po kthehemi má kah Kibla, por kah Universiteti?” Këtë histori ma pati treguar në një intervistë para katër vitesh Profesor Ferizi dhe ma kujtoi sërish para një muaji kur u pamë.
Feriz Krasniqi ka qenë prorektor (1973-’75) dhe rektor i UP-së në dy mandate (1975-’79). Ai është njëri prej vetëm 12 profesorëve të nderit të shpallur nga Universiteti i Prishtinës! Në fotografinë e parë, Profesor Feriz Krasniqi është duke mbajtur fjalim me atë rast, më 13 shkurt 2020.
Ai e ka drejtuar Universitetin e Prishtinës në dekadën e parë dhe më të rëndësishme të UP-së, kur janë themeluar dhe ngritur shumica e fakulteteve dhe katedrave. Në foton e dytë, dalë më 1975, Rektori Feriz Krasniqi duartroket pasi ia ka dorëzuar diplomën Doktor Nderi, Presidentit të Indisë, Fakhuridin Ali Ahmed.

Me firmën e tij janë nënshkruar shumica e marrëveshjeve mes Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës në vitet ’70-të, kur vetëm më 1978, plot 74 pedagogë nga UT-ja erdhën për të ligjëruar në UP. Në foton e tretë, më 1978, Feriz Krasniqi po e nënshkruan bashkë me Rektorin Petrit Radovicka marrëveshjen e bashkëpunimit.
Profesor i biologjisë i doktoruar më 1968 për vegjetacionin e pyjeve të regjionit kodrinor të Kosovës, Feriz Krasniqi ka qenë asistent i Dervish Rozhajës, rektorit të parë të UP-së. Ai ligjëronte lëndën sistematika e bimëve të larta.
Në një vend ku të gjithë denigrohen dhe secili shihet me llupë për me i gjetë naj vegzë me zhvlerësu, jetojnë, – përgjithësisht në heshtje – edhe njerëz sikur Profesor Feriz Krasniqi, një hero i pashpallur i arsimit. Nëse Universiteti i Prishtinës i ka prodhuar të gjitha elitat kulturore dhe politike që e kanë krijuar dhe mbajtur Republikën e Kosovës, profesorët si Feriz Krasniqi e kanë ngritur UP-në. Një kontribut i pamatshëm dhe një patriotizëm i kulluar!
Gjetsh paqen Profesor Feriz!
/Durim Abdullahu/