Google ka nënshkruar marrëveshjen e parë për blerje energjie, për të përmbushur kërkesën e rritur për shkak të inteligjencës artificiale. Gjiganti i teknologjisë ra dakord me kompaninë Kairos Power për të blerë energji të gjeneruar nga reaktorë të vegjël modularë.

Kjo marrëveshje bën të mundur ndërtimin e reaktorit të parë modular online deri në vitin 2030, i cili do të ndiqet nga një tjetër shtesë deri në vitin 2035.

Nuk ka detaje në lidhje me koston e marrëveshjes dhe as vendin se ku do të ndërtohen stacionet e reja nukleare. Google tha se ka rënë dakord të blejë gjithsej 500 megavat energji nga gjashtë deri në shtatë reaktorë, që është më i vogël se prodhimi i reaktorëve bërthamorë të sotëm.

Ne mendojmë se energjia bërthamore mund të luajë një rol të rëndësishëm për të ndihmuar në përmbushjen e kërkesës sonë“, u tha gazetarëve Michael Terrell, drejtor për energjinë dhe klimën në Google.

Kompanisë do t’i duhet fillimisht të sigurojë leje ndërtimi dhe projektimi nga Komisioni Rregullator Bërthamor i SHBA-së, si dhe leje nga agjencitë lokale, një proces që kërkon kohë.

Nevoja e shtuar për energji që vjen si pasojë e futjes në përdorim të inteligjencës artificiale ka bërë që gjatë këtij viti të lidhen disa marrëveshje të kësaj natyre.  

Në mars, Amazon.com bleu një qendër të dhënash me energji bërthamore nga Talen Energy (TLN.O). Muajin e kaluar, Microsoft dhe Constellation Energy (CEG.O) nënshkruan një marrëveshje të ngjashme për të ndihmuar në rivitalizimin e një njësie të uzinës Three Mile Island në Pensilvani, centrali bërthamor ku ndodhi incidenti i vitit 1979.

Kërkesa për energji e qendrave të të dhënave në SHBA pritet të trefishohet afërsisht midis 2023 dhe 2030. Kjo do të kërkojë rreth 47 gigavat kapacitet të ri gjenerues, sipas përllogaritjeve të Goldman Sachs. Kjo kërkesë e shtuar mund të plotësohet me gaz natyror, erë dhe energji diellore.

By