Që drejtësia të mos jetë gjeopolitike, ajo duhet t’i hapë rrugën reformës demokratike

Arbër Zaimi

Diçka tjetër e ngjashme mes Moldavisë dhe Kosovës është se udhëheqësja moldave Maia Sandu pjesë të rëndësishme të vizionit të saj politik ka patur reformën e sistemit të drejtësisë, njësoj si Albin Kurti.

Por, në Moldavi njësoj si në Kosovë, disa oligarkë me lidhje edhe moskovite (në rastin e Kosovës edhe beogradjane), disa pronarë mediash dhe disa politikanë të ish-pushteteve, janë bërë bashkë në një front me disa gjyqtarë e prokurorë, për të pamundësuar reformën në drejtësi.

Maia Sandu është shprehur se prokuroria në Moldavi “nuk ka vepruar si duhet” për të pamundësuar interferencat ruse në blerje votash, influencë mediale apo financim partish.

Pas referendumit që e fitoi sajë votave të diasporës, ajo përballet me zgjedhjet e rregullta, ku pritet të jetë e para, por lufta e partive të oligarkëve dhe partive pro-ruse është që t’ia pamundësojnë 50%.

Sidoqoftë politikanët e llojit të vjetër dhe oligarkët që përpiqen me çdo kusht t’i ndalin reformat në drejtësi që propozohen nga politikanë si Sandu apo Kurti, veprojnë në mënyrë të pamençur qoftë edhe nëse nisen veç nga interesi personal.

Nëse ata mendojnë se duke ndalur reformën në drejtësi do të ruajnë influencën e tyre shoqërore dhe ekonomike, le të shohin çfarë po ndodh në Shqipëri. Atje ku së brendshmi kurrë nuk e bënë një drejtësi funksionale, u detyruan ta pranojnë të imponuar nga jashtë.

Drejtësia po të reformohej së brendshmi e të bëhej funksionale, do të rriste besimin e qytetarëve në institucionet vendore dhe do të ndihmonte kohezionin shoqëror por edhe ruajtjen e respektit për politikën, ruajtjen e balancave demokratike, madje edhe ruajtjen e dinjitetit njerëzor të të pandehurve apo të dënuarve.

Pengesa e drejtësisë së brendshme për dekada me radhë, çon deri te drejtësia e imponuar nga jashtë (për shkak se korrupsioni masiv brenda oborrit evropian shfrytëzohet lehtë nga faktorë gjeopolitikë si Rusia).

Por drejtësia e imponuar nga jashtë, edhe pse mund të ndikohet nga interesa e aleanca gjeopolitike, nuk ka kohë dhe as prirje për ruajtje sensibilitetesh, balancash, dinjitetesh. Madje as respekt për kontributet historike – sepse historia e një kombi është punë e brendshme e tij, secili komb ka të vetën.

Shembull tjetër është dhe “dhoma e posaçme” në Hagë e sistemit gjyqësor kosovar. Për vite me radhë Vetëvendosja dhe Albin Kurti këmbëngulën që drejtësia për kohën e luftës nuk kishte nevojë për “gjykatë speciale”, por duhej bërë me kredibilitet e profesionalizëm nga institucionet e brendshme të gjyqësorit kosovar.

Refuzimi për drejtësi të brendshme, prodhoi ndërhyrjen nga jashtë të cilën e shohim sot dhe nuk na pëlqen.

Prandaj them se po të jenë sadopak të mençur, qoftë edhe nisur nga interesi thjesht personal e egoist, oligarkët dhe politikanët e ish-pushteteve e kanë më mirë të hapin rrugë për një reformë normale e vendore në drejtësi, se sa të bëhen digë në një lumë që herët a vonë do të vërshojë.

Nëse këta oligarkë e ish-pushtetarë kosovarë apo moldavë kanë këshilltarë, mbase do e kenë dëgjuar prej tyre proverbin shqiptar: I yti mishin ta ha, por ashtin ta ruan.

By