Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka kritikuar raportimet për mungesë ushqimi në FSK, duke i quajtur ato të pavërteta dhe të nxitura nga shërbime dashakeqe.

Maqedonci ka komentuar raportimet e mediave  ditëve të kaluara për mungesë të ushqimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Maqedonci i ka cilësuar këto lajme si “të pavërteta” dhe të nxitura nga forca të jashtme dhe të brendshme që, sipas tij, synojnë të krijojnë pasiguri dhe të destabilizojnë sigurinë e vendit.

“Lajmet më të vërtetët kanë qenë një gjë e pahijshme. Veçanërisht kur kemi parasysh faktin se për asnjë moment, asnjë ushtar i FSK-së nuk ka mbetur pa bukë, ashtu siç është prezantuar shpesh në media. Dhe po vazhdon të prezantohet herë pas here. Mendoj që ka qenë më shumë një histeri kolektive, që ka kapluar jo vetëm mediat por edhe njerëzit tjerë. Kjo ka mundur të shtyhet edhe nga faktorë të brendshëm dhe jashtëm, që jo detyrimisht po ia duan të mirën vendin tonë dhe FSK-së”, ka thënë Maqedonci në Debat Plus.

Ministri sugjeroi se disa prej këtyre raportimeve mund të jenë nxitur nga individë që mbajnë lidhje me shërbime të huaja dhe kanë synim të cenojnë interesat e Kosovës.

“Brenda vendit mund të kemi ende faktorë që kanë lidhjet e tyre jashtë Kosovës. Më saktësisht kemi pasur raste kur janë identifikuar edhe persona të cilët vazhdojnë të punojnë edhe për shërbime të huaja. Dhe ato dashakeqe për vendin tonë. Është ushqyer si lajm nga shërbimet dashakeqëse, është rritur, formësuar në mënyrë të  krijojë pasiguri. Pa u marrë parasysh deklaratat zyrtare, të cilat janë nga i gjithë stafi i ministrisë”, ka shtuar ministri Maqedonci.

By