Intervistë me Gëzim Mekulin (Njohës i mediave dhe retorikës)

Në këtë artikull, synoj të analizoj dhe të jap mendimet e mia mbi disa pyetje të shtruara nga media juaj, që lidhen me zhvillimet aktuale politike në Kosovë, në veçanti rreth rolit të Listës Serbe dhe qasjes ndaj saj nga partitë politike, institucionet dhe media.

Përveç një vështrimi kritik do të ndalem në ndikimin e tyre në diskursin publik dhe në mënyrën se si këto çështje trajtohen në lidhje me sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Qasja ime reflekton shqetësimin për tendencat që relativizojnë të drejtën dhe të vërtetën historike të vendit tonë, duke vënë në pah nevojën për një qëndrim të fortë dhe të qartë në mbrojtje të shtetit, kombit dhe demokracisë për të gjithë, pa dallim etnike, gjuhe, kulture, feje a pozitës sociale.

Cilat janë arsyet për të cilat partia në pushtet, LVV, ka vendosur të kundërshtojë pjesëmarrjen e Listës Serbe, dhe a mund të ketë ndikim ky veprim në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara?

Gëzim Mekuli:  Kosova, një shtet që ende po lufton për konsolidimin politik, po sulmohet përditë nga Serbia e moçme; ajo e miteve, ajo e urrejtjes dhe e shkatërrimit.

Tani, të kalojmë te thelbi. Lista Serbe nuk është thjesht një parti politike, por një zgjatim i Beogradit zyrtar dhe ideologjisë së saj për Kosovën si «Kosovo i Metohija.» Fjalë për fjalë, kjo fjalë luftënxitëse do të thotë «krahinë serbe që endet mes miteve, përrallave dhe nostalgjisë për një perandori serbe të humbur. Pse duhet të bashkëpunojë Kosova me këtë forcë?

Asnjë shtet normal në botë nuk bashkëpunon me parti që synojnë shkatërrimin e shtetit të vet. Ja një krahasim i thjeshtë për kolegët tuaj në gazetari: imagjinoni që Britania e Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore të ftonte nazistët në parlament. Tingëllon absurde, apo jo? Atëherë pse pyesim ne si gazetarë për Kosovën? 

Dhe për ata që e shohin këtë si «ekstremizëm,» ja një shembull i ri: kur Donald Trump bëri deklarata agresive për Grenlandën, të gjitha shtetet demokratike u ngritën për të mbrojtur sovranitetin e saj. Ku është solidariteti ndërkombëtar për Kosovën? Apo këtu vlejnë standarde të dyfishta? Kështu duhet të reagojmë edhe ne: jo vetëm LVV. Sepse Serbia e 1878-ës nuk është problem i një partie, por e çdo force politike dhe qytetare që i qëndron besnike demokracisë pavarësisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Kosova jonë ka nevojë për një gazetari të përgjegjshme që kupton rëndësinë e kësaj beteje politike dhe retorike dhe nuk vepron si një altoparlant i Beogradit të 1878-ës. Në luftë, media nuk mund të jetë «asnjëanëse» apo e «balancuar.» Misioni juaj, të dashur gazetarë, është të mbroni Pavarësinë, jo të ushqeni kapitullimin me pyetje shqip, por të brymosura me mentalitetin e çëllimeve të politikave serbe.

Çfarë mund të ndodhë nëse Lista Serbe nuk e ndryshon qëndrimin e saj ndaj shtetit të Kosovës, dhe a mund të ketë ndikim ky vendim në legjitimitetin e zgjedhjeve në Kosovë?

Gëzim Mekuli: Legjitimiteti i zgjedhjeve në Kosovë nuk mund të matet nga pjesëmarrja ose jo e një partie që mohon ekzistencën e shtetit. Përkundrazi, legjitimiteti buron nga Kushtetuta, nga populli, dhe nga përkushtimi për demokraci.
Dhe më e rëndësishmja, kemi të drejtën historike në anën tonë. Nëse Lista Serbe zgjedh të mos marrë pjesë, ky është problemi i tyre, jo i Kosovës. Mos i trajtoni këta lojtarë destruktivë si shtylla të domosdoshme e të pazëvëndësushme të demokracisë sonë.

E përsëris, Lista Serbe është vet Beogradi politik, dhe këtu çdo diskutim mbaron. Nuk bëhet fjalë për një parti që ka nevojë për «ndryshim qëndrimi», por për një strukturë që është vetpërjashtuar për shkak të lidhjeve me krimin, terrorizmin dhe mohimit të shtetit. Pyetja e vërtetë, e që ju si media nuk e keni shtruar, duhej të ishte: «Çfarë duhet të bëjë politika e Prishtinës dhe Tiranës përballë Beogradit, që dirigjon Listën Serbe?»

«Legjitimiteti i zgjedhjeve» për shkak të «mospjesmarrjes së Listës Serbe

Kjo nuk është politikë moderne apo strategji elektorale, por një kopjim i politikës së Vaso Çubrilloviqit, Memorandumi famëkeq i Akademisë Serbe të Shkencave që thoshte haptazi: «Shqiptarët duhet të shfarosen, përndryshe Serbisë i humbet Kosova.» 

Si mund të ndikojë mosdistancimi i Listës Serbe nga Millan Radoiçiq dhe lidhjet e saj me ngjarje të dhunshme në veriun e Kosovës në imazhin e saj si forcë politike dhe në procesin e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare?

Gëzim Mekuli:  Kjo punë nuk është çështje e Radoiçiq-it. Lista Serbe është Beogradi. Paçka Beogradi i sotëm është vazhdimësi e politikave të 1878-ës, 1912 – 1944, 1989-ës dhe e 1999-ës. Kjo nuk është çështje e një «fotografie e bukur» për Kosovën, por një betejë ekzistenciale për Republikën tonë. Kjo pyetje nuk është as «neutralitet» e as «profesionalizëm gazetaresk»; është një ftesë për vetë-dorëzim, për të pranuar hegjemoninë e një shteti që ende çirret për një Kosovë të quajtur «Kosova dhe Metohija» dhe të futur brenda Kushtetutës së saj!
 

Unë kam një këshillë miqësore për median shqipe; përqendrohuni në hulumtime. Pse nuk hetoni lidhjet e Gjykatës Supreme me presionet e jashtme dhe të brendshme? Pse nuk ndriçoni e nuk shkruani, përditë e përnatë, sesi strukturat serbe financohen nga Beogradi për të destabilizuar Kosovën? Lëvizni, hajde të krenohemi me ju, kqyrni «përtej hundës» dhe ndihmoni në ndërtimin e një fotografie të vërtetë për Kosovën tonë.

Për politikanët, po ashtu një këshillë: mësoni nga historia. Nuk fitohet respekt ndërkombëtar (e as kombëtar) duke lejuar forcat destruktive të marrin peng demokracinë. Bëhuni të qartë, mos u korruptoni, lexoni dhe përpiquni të mos lakmoni, e bëhuni të fortë, ashtu siç bëri Hasan Prishtina, Fan Noli, Adem Jashari, Adem Demaçi apo Churchill për Britaninë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Të dashur lexues,
Kosova është në një moment kritik, vendi ka nevojë për media, intelektualë dhe klasë politike që nuk thehen para presionit të luksit dhe informacioneve të rreme. Kujtoni gjithmonë: roli i juaj është të mbroni demokracinë, publiken dhe shtetin, jo të bëheni «kondom i përdorur» në duar të interesave serbe.

Duhet nënvizuar se Kosova duhet të mbrohet, fillimisht nga brenda, duke siguruar që propaganda serbe të mos gjejë hapësirë ndikimi brenda hapsirës sonë publike. E roli i gazetarëve është kyç në këtë drejtim. Shikoni historinë e mediave në luftërat e mëdha; çdo gazetari që promovonte kapitullimin apo dobësinë, quhej i rrezikshëm. Churchill kishte një thënie brilante: «Një vend që humbë besimin te shtypi i tij, është në prag të shkatërrimit.»

Ncuk, Lista Serbe nuk është sall një forcë politike. E përsëris: ajo është sa Beogradi, është vet Vaso Çubrilloviqi, është Ivo Andriqi, është Millosheviqi, është komplet Vuçiqi. Dhe ne nuk mund të pranojmë që një strukturë e sojit të tillë të vazhdojë të «luaj koqe» me Pavarësinë e Repulikës së Kosovës.

Tashti një kritikë falas për mediat dhe gazetarinë shqipe; është falas, sepse kritika në përëndim kushton para, kushton lek. Përtej pyetjeve të formuluara me përbërësa të dyshimtë apo qëllime të paqarta, bëhet akoma më e qartë se roli i medias shqipe në Kosovë, sot, ka marrë një kahje të dyshimtë dhe shpeshherë shqetësuese. Në luftë gazetaria e një kombi nuk ka asnjënëshmëri; në situata të jashtëzakonshme e në kriza të mëdha politike, gazetaria duhet të jetë e «njëanshme»; në shërbim të mirëqenjes, shtetit, lirisë, demokracisë dhe kombit.

Media shqipe, «tigër i padhëmbë» i pavarësisë apo altoparlant i Beogradit?

Historia na ka mësuar se në situata lufte apo konflikti, media nuk duhet të jetë neutrale. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gazetat britanike nuk shkruanin artikuj që relativizonin bombardimet gjermane mbi Londrën. Nuk kishte tituj që pyesnin: «A duhet që Londra të ndalë rezistencën ndaj Gjermanisë në favor të mërëdhënieve me SHBA?» Kjo do të ishte e pafalshme. Gazetarët britanikë gjatë Luftës së Dytë Botërore mbronin të vërtetën dhe moralin kombëtar. Po ashtu, edhe sot, gazetaria në Kosovë nuk mund të jetë asnjënëse përballë propagandës serbe dhe sulmeve që synojnë të coptojnë vendin.

E sa i përket pyetjes suaj rreth vendimit të PZAP-it dhe të Gjykatës Supreme që shfuqizuan kundërshtimin ndaj certifikimit të Listës Serbe, ketu shtrohet një pyetje serioze: sa të pavarura janë këto institucione? Nëse një parti politike me lidhje të qarta me Beogradin, me grupe kriminale dhe ngjarje të dhunshme në veri të Kosovës, është e lejueshme të garojë, kush e mbron shtetin atëherë? Apo është vetëdështimi pjesë e procesit? Pyetja normale nga ana e juaj duhet të jetë: «Si të garantojmë që institucionet tona të jenë me të vërtetë në shërbim të shtetit dhe jo të presioneve politike?»

Të dashur lexues,
Kosova ndodhet në një udhëkryq historik. Ky nuk është thjesht një konflikt politik; është një betejë ekzistenciale. Roli i medias, më parë se i partive politike, në këtë kontekst, duhet të jetë i qartë: të mbrojë shtetin, të mbrojë demokracinë, të denoncojë manipulimet dhe të ndihmojë në ndërtimin e një narrative që mbështet pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës sonë të shtrenjtë. Nuk ka vend për relativizëm politik kur uniformat e policisë së shtetit sulmohen e vriten, kur kufijtë tentohen të minohen, dhe kur kultura, historia dhe gjuha jonë përqeshet, përbuzet e poshtërohet.

By