Prorektori i Universitetit “Dr. Franjo Tuđman”, Gordan Akrap, ka deklaruar se Serbia mund të mbetet pa burime energjetike për shkak të sanksioneve kundër kompanisë së naftës NIS, gjë që do të ndihmonte studentët të vazhdojnë protestat dhe përfundimisht të çonte në formimin e një partie politike që do të rrëzonte presidentin serb Aleksandar Vuçiq, shkruan gazeta Politika e Beogradit, percjell MekuliPress.

“Sipas parashikimeve, për rreth tre javë do të hyjë në fuqi ndalimi i importit të naftës ruse përmes JANAF-it në Serbi. Për rreth tre deri në katër javë, Serbia mund të mbetet pa energji. Vuçiq do të gjendet përpara një dileme: ose të nacionalizojë NIS-in dhe të përplaset me Putinin, ose të mbetet pa furnizim energjetik. Në një situatë të tillë, duke pasur parasysh se ka pasur mbi dyqind mijë studentë në rrugë, protesta mund të intensifikohet dhe të shtrihet në kategori të tjera të shoqërisë serbe”, tha Akrap për HRT.

Ai shtoi se në këtë kontekst mund të shfaqet një forcë e re politike që do të mund të rrëzojë pushtetin në Serbi, një skenar që do të ishte në interes të Kroacisë.

“Këtu hyjmë në një fazë ku brenda popullsisë studentore ose në mesin e profesorëve të tyre mund të dalin ekspertë apo figura të besueshme që do të ishin një shpresë e re politike për Serbinë. Kroacia është veçanërisht e interesuar që Serbia të jetë një vend demokratik, i lirë dhe i deradikalizuar. Askush nuk dëshiron në fqinjësinë e vet një shtet që është burim i vazhdueshëm i destabilizimit. Ne e shohim se çfarë bën Serbia me Rusinë në Mal të Zi, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Bosnje e Hercegovinë – është eksportues i paqëndrueshmërisë. Një Serbi e pasigurt dhe e paqëndrueshme nuk i shërben askujt”, theksoi Akrap

Koment nga MekuliPress

Deklarata e profesorit kroat Gordan Akrap duhet të shërbejë si një thirrje urgjente edhe për akademinë shqiptare, veçanërisht për Universitetin e Tiranës dhe institucionet akademike në Kosovë. Është thelbësore që profesorët dhe intelektualët shqiptarë të dalin me një deklaratë të përbashkët që mbështet përpjekjet për demokratizimin e Serbisë, duke e parë këtë si një faktor kyç për stabilitetin rajonal.

Një reagim i tillë do të duhej të vinte edhe nga opozita e Kosovës, e cila deri më tani ka heshtur ose ka mbajtur një qëndrim të butë ndaj regjimit të Vuçiqit, duke lënë të kuptohet se ekziston një “pakt joarmiqësie” mes tyre. Tashmë është koha që opozita në Kosovë të dalë me një qëndrim të qartë dhe të prerë, duke dënuar politikat destabilizuese të Serbisë dhe duke përkrahur çdo përpjekje që çon drejt një Evrope të lirë dhe demokratike. Heshtja nuk është një opsion në një kohë kur Serbia vazhdon të jetë një instrument i politikave ruse në rajon.

By