Grupi i njohur si “Anonymous” ka dalë me një paralajmërim së fundmi, duke cilësuar se administrata e re e Donald Trump po vepron me shpejtësi në periudhën tranzitore për instalimin e fashizmit. Sipas një videomesazhi të shpërndarë në rrjetin X, nuk flitet më për kundështim dhe opozitës, por për Rezistencë dhe luftë ekonomike ndaj më të varfërve të SHBA.
Grupi vë në dukje se besimi te SHBA po rivlerësohet në shkallë globale dhe se tani është momenti që populli amerikan të veprojë, pa i lënë kohë administratës të konsolidojë pozitat.
Pavarësisht ekzagjerimeve që mund të jenë pjesë e një traume fillestare, është e dukshme klima e një lufte civile verbale në SHBA që së pari manifestohet te pamundësia për të bashkëjetuar me një politikë që sipas një pale po shpërbënë qeverinë federale dhe po i jep formë një tjetre.
Është e vështirë të lexohet për momentin thellësia e ndasive, por një shenjë është e përgjithshme: as në Perëndim, as gjetkë, Donald Trump nuk i besohet më si dikur presidentëve amerikanë, që mund të jenë kundër, pro, apo me pikëpamje të tyret mbi ngjarjet, por që së paku politikën e kishin të parashikueshme.