A i besohet Bedri Hamzës? Nga stafetat për Titon te kandidatura për Kryeministër

Zgjedhjet e nesërme janë një moment kritik për Kosovën, por edhe një test historik për ndërgjegjen tonë kolektive. Pyetja që duhet të shtrojmë është e thjeshtë: Si mund të jetë sot kandidat për Kryeministër një njeri që dikur mbante me krenari Stafetën e Titos, simbolin më të shëmtuar të pushtimit serbo-jugosllav mbi shqiptarët?
Si është e mundur që një njeri i privilegjuar në strukturat komuniste jugosllave sot të imponohet si kandidat për Kryeministër i Kosovës? Bedri Hamza, ish-bartësi i Stafetës së diktatorit Tito, sot paraqitet si përfaqësues i PDK-së që pretendon të mbrojë interesat e qytetarëve të Kosovës, interesat e Republikës së Kosovës, por a mund t’i besohet sot këtij njeriu?

“Nxënësi shembullor” në komunizëm

Në gazetën Rilindja, më 15 prill 1980, lexojmë se Bedri Hamza, atëherë një “nxënës shembullor”, ishte njeriu që solli Stafetën në një tubim madhështor në Serbcië (sot Skenderaj), një ceremoni e mbushur me lavde për diktatorin Tito: “Shoku Tito tungjatjeta – me Ty jemi sa t’asht jeta… Të na shërohesh sa më parë – rrnofsh sa malet shoku kryetar…”

Rilindja 15 Prill 1980

Ky nuk është një detaj i vogël. Stafeta e Titos ishte një ritual i menduar mirë për të forcuar bindjen tek të rinjtë e përzgjedhur nga regjimi jugosllav-serb; ata që konsideroheshin “të besueshëm” nga Jugosllavia. Ndërkohë që shqiptarët në Kosovë, e gjithandej nëpër Jugosllavi, burgoseshin, dëboheshin nga puna dhe u ndalohej shkollimi, shtrohet pyetja logjike: si mund të besohet që një shqiptar të ishte aq i privilegjuar nga ai sistem dhe të mos ishte pjesë e tij?

Stafeta e Titos – Simbol i frikës, dhunës dhe nënshtrimit të shqiptarëve

E them më sqarueshëm; për shqiptarët e mbetur në Jugosllavi, Stafeta e Titos nuk ishte thjesht një ceremoni, as një lojë për rininë. Ajo ishte shpata mbi kokën e shqiptarëve, kallashnikovi i Serbisë që ruante nënshtrimin tonë, një ritual jugosllav që synonte të përjetësonte robërinë tonë.

Në vitet ‘80, shqiptarët e Kosovës po jetonin nën një regjim Jugosllav (serb) që nuk i lejonte të frymonin lirshëm. Mijëra studentë shqiptarë u burgosën për shkak të ideve të tyre kombëtare. Demonstratat e 1981 u shtypën me dhunë; me gjak. Burgjet ishin të mbushura me shqiptarë të rinj, ndërsa një grup i vogël “të privilegjuarish” marshonin me stafetat e regjimit dhe i këndonin Titos.
Bedri Hamza ishte një prej tyre. Bedri Hamza sot kandidat për Kryeministër i Kosovës!? A bëhet kjo punë? Si bëhet kjo punë more?

Çdo vit, ndërsa nxënës “shembullorë”, si Bedri Hamza, vraponin për ta bartur këtë simbol skllavërie, mijëra shqiptarë jetonin me frikë. Ishte një kohë kur shqiptarët burgoseshin vetëm pse shkruanin një poezi për flamurin, për Shqipërinë a për Kosovën. Ishte zezona kur shqiptarët pushkatoheshin pa gjyq, kur u ndalohej gjuha dhe kultura e tyre. E pra në këtë atmosferë terrori, një grusht njerëzish të zgjedhur nga regjimi titist jugosllav, si Bedri Hamza, ishin përzgjedhur për të qenë fasada e nënshtrimit dhe lojalitetit ndaj Jugosllavisë/Serbisë.

Të dashur lexues,
A është ky njeriu që mund të udhëheqë sinqerisht Kosovën?

Në të njëjtën kohë kur ky “nxënës shembullor” vraponte për diktatorin Tito, shqiptarët në Kosovë po torturoheshin në burgjet e UDB-së, profesorët dhe studentët shqiptarë po dëboheshin nga universiteti sepse kërkonin të drejtën për të mësuar vërtetë shqip, ndërsa familjet shqiptare detyroheshin të braktisnin trojet e tyre për të shpëtuar nga diskriminimi brutal i Komunistëve serbo-jugosllav.

A mund të jetë Kryeministër një njeri i edukuar në gjirin e sistemi Komunist jugosllav?

Rilindja 15 Prill 1980

A mund të kemi besim sot tek një njeri që ishte një hallkë në zinxhirin e represionit jugosllav? Pse duhej që pikërisht ai të ishte përzgjedhur si bartës i Stafetës, kur dihet mirë se regjimi nuk ua jepte këtë nder atyre familjeve shqiptare që nuk ishin të dëshmuar si besnikë të sistemit komunist jugosllav?

“Komunistët, rinia dhe punonjësit e komunës sonë kanë përgjegjësi të madhe para LKJ-së dhe shokut tonë të dashur Tito…”

Nëse Bedri Hamza ishte një “nxënës shembullor” i komunizmit jugosllav, a mund të jetë ai sot një udhëheqës i besueshëm për Kosovën tonë të pavarur? A mund të jetë ky Kryeministri i një vendi që atëherë ishte viktimë e përgjakur e atij sistemi jugosllav?

Kosova nuk ka nevojë për derivatet e sistemit jugosllav.

Kosova jonë e dashur ka sakrifikuar shumë për pavarësinë e saj dhe nuk mund të lejojë që figura të dala nga strukturat e regjimit jugosllav të marrin në dorë fatet e saj. Nesër, vota nuk është thjesht për një parti apo një emër; ncuk, është një vendim për të mos u kthyer në një epokë ku Bedri Hamza dhe të ngjashmit e tij ishin simbol i nënshtrimit tonë, i mjerimit tonë, varfërisë tonë, lotit tonë.

Rilindja 15 Prill 1980

Nëse dje ai ishte “shembullor” për Jugosllavinë, a mund të jetë sot njeriu i duhur për Kosovën tonë që me padurim Serbia po e pret për ta kafshuar?
Nëse dje ai mbante Stafetën e diktatorit Tito, çfarë do të mbajë nesër në duart e tij si Kryeministër i Republikës sonë?

Të dashur lexues,
Një pyetje tjetër që lind natyrshëm: Si mund të jetë ai një udhëheqës i besueshëm për Kosovën, kur në vitet më të errëta për shqiptarët e Kosovës, ai jo vetëm që nuk e sfidoi regjimin, por ishte aktiv brenda tij, hyzmeqar i tij?

Pyetje, pyetje, pyetje, pyetje pa fund e pa përgjigje; Si mund të besojmë se një njeri i edukuar në besnikëri ndaj sistemit jugosllav (serb), sistem që shtypi shqiptarët gjithandej në burgun e madh të quajtur Jugosllavi, sot papritur është bërë demokrat i përkushtuar dhe «shpëtuesi» i Kosovës? A janë këto vetëm rroba të reja për të njëjtin mentalitet të vjetër?

Të dashur lexues,
Kosova jonë e dashur ka vuajtur shumë për të arritur pavarësinë e saj. Ncuk! Ne nuk mund të kthehemi në të kaluarën e zezë duke i besuar postin më të rëndësishëm të vendit një njeriu që vjen nga radhët e atyre që dikur nuk patën kurrfarë problemi të ishin pjesë e një regjimi represiv. Pikë!

A mund të sigurohet Kosova nesër me një kryeministër që dikur mbante në dorë stafetën e një diktatori? A ka garanci që ai nuk do të vazhdojë logjikën e atyre që ishin të gatshëm të shërbenin pushteteve të huaja antishqiptare?

Të nderuar,
Zgjedhjet e nesërme janë një test për Kosovën tonë të dashur. Historia nuk harrohet, dhe vetëm ëndërra për të «zgjedhur» Bedri Hamzën si Kryeministër, do të ishte një kthim pas në një kohë kur shqiptarët ishin të nënshtruar, të poshtëryer, të (keq)përdorur, të fyer e jo të lirë.

By