“Zbulimi që transformon Energjinë”: Inxhinieri shqiptar synon të sjellë ndryshimin epokal

MekuliPress

Në një kohë kur siguria energjetike mbetet një sfidë e madhe për Shqipërinë dhe Kosovën, inovacioni është çelësi për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme. Në këtë intervistë ekskluzive për MekuliPress, sjellim rrëfimin e inxhinierit largëpamës Markeljan Zarka, i cili ka zbuluar një sistem hidroenergjetik modern që mund të ndryshojë mënyrën se si ne prodhojmë dhe shfrytëzojmë energjinë.

Me një pasion të madh për teknologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, Markeljan Zarka synon që ky sistem të jetë një produkt krenarisht “Made in Albania” ose “Made in Kosova”, duke vënë theksin te fuqizimi i kapaciteteve vendase në sektorin e energjisë. Mbi të gjitha, ai dëshiron që ky projekt të arrijë tek biznesmenët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, për të siguruar mbështetjen dhe investimin e nevojshëm për ta kthyer këtë ëndërr në realitet.

Në këtë bisedë për MekuliPress, inxhinieri ndan vizionin e tij, sfidat që ka hasur dhe potencialin e madh që ka ky projekt për të ndikuar në të ardhmen energjetike të rajonit tonë.

Intervista e plotë:

MekuliPress: Le të fillojmë me ju! Kush jeni ju përtej emrit dhe titujve? Cili ka qenë rrugëtimi juaj akademik dhe profesional që ju çoi në këtë fushë të energjisë?

Markeljan Zarka: Unë quhem Markeljan Zarka dhe jam 44 vjeç, me origjinë nga qyteti i Fierit dhe prej pothuajse 5 vitesh tashmë jetoj dhe punoj në Norvegji.

Rrugëtimi im profesional në fushën e energjisë dhe elektricitetit në përgjithësi, ka nisur rreth 30 vjet më parë në kohën kur unë fillova arsimin e mesëm profesional në shkollën e mesme Industriale në Fier (dega elektrike) dhe më pas në përfundim të shkollës së mesme fillova studimet universitare në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit Politeknik të Tiranës. Jam diplomuar ne vitin 2004 si Inxhinier Elektrik dhe në vazhdim gjatë gjithë kohës kam punuar në këtë profesion për pothuajse 20 vjet rresht në sektor dhe kompani të ndryshme në Shqipëri dhe tani këto vitet e fundit edhe ketu në Norvegji.

Arsyeja që mora këtë drejtim në arsim profesional që në shkollë të mesme dhe jo një arsim të përgjithshëm ishte si të thuash në njëfarë mënyre edhe e diktuar nga kushtet ekonomike në atë kohë, sepse vitet 90 në Shqiperi ishin të vështira. Dhe nuk kisha asnjë garanci ekonomike nga familja që unë të mund të vazhdoja arsimin universitar pasi të përfundoja arsimin e mesëm, dhe kështu së paku me një arsim te mesëm profesional do të kisha një profesion dhe mund të punoja si elektriçist duke siguruar të ardhura për familjen time. Por megjithëse me vështirësi, pasi përfundova shkollën e mesme arrita të vazhdoja universitetin dhe të diplomohen si Inxhinier Elektrik.

MekuliPress: Energjia është jeta e një vendi. Nga përvoja juaj, si e shihni situatën energjetike në vendet tona, po flas pra për Shqipërinë dhe Kosovën, pse jo edhe në nivel global? Po përballen shtetet tona me një krizë të fshehur energjetike?

Markeljan Zarka: Si gazetar ju po e quani “energjia është jeta e një vendi”, dhe në njëfarë mënyre keni të drejtë, por më lejoni të bëj unë një ripërkufizim për të dhënë një kuptim të një dimensioni tjetër. 

Energjia, do të thosha unë është “motorri i zhvillimit të ekonomisë së një vendi”, sepse direkt apo indirekt çdo lloj aktiviteti industrial, dhe çdo kosto prodhimi industriale për pothuajse të gjitha llojet e produkteve përfshirë këtu edhe vet aktiviteti ynë i përditshëm në punë dhe në shtëpi varet drejtpërdrejtë nga energjia që nevojitet në çdo ambient. Epoka në të cilën në jetojmë në këtë stad të zhvillimit teknologjik dhe mënyrës së jetesës që qytetërimi ynë ka arritur, nuk konceptohet dot pa energji. Energjia sot padyshim është “produkti” më i pazëvendësueshëm dhe njëkohësisht më i kërkuar ne treg. Rrjedhimisht ekonomia e një vendi diktohet nga poseidimi dhe shfrytëzimi i burimeve natyrore prej të cilave merret ose përftohet kjo energji. Siç janë burimet hidrike të cilat shfrytëzohen nëpermjet hidrocentraleve për prodhimin e energjisë elektrike, burimet e lëndës djegëse (naftë, gaz natyror dhe qymyr) të cilat edhe këto shfrytëzohen për prodhim të energjisë dhe trasportit. Konkretisht vendet tona Shqipëri dhe Kosovë, edhe pse disponojnë mjaftueshëm burime natyrore, për arsye menaxhimi dhe tranzicionesh politike që kemi kaluar, nuk mund të themi dot që sot jemi në një situatë pavarësie të plotë energjitike. Shqipëria karakterizohet nga varësia që ka nga burimet hidrike sepse pothuajse e gjithë energjia elektrike gjenerohet nga hidrocentralet, gjë që e bën të brishtë dhe të ekspozuar për krizat energjitike në çdo sezon thatësirash kur mungojnë reshjet e shiut. Dhe kjo është vërtetuar për të disatën herë në vitet që kemi lënë pas. Dhe e anasjellëta është me Kosovën, sepse Kosova varet pothuajse plotësisht nga termocentrale të cilat punojnë me lëndë djegëse (kryesisht qymyri). Situata energjitike në Kosovë nuk ka të bëjë me kushte meteorologjike siç ka të bëjë në Shqipëri, sepse lënda djegëse është gjendje në trajtë minerare, por termocentralet atje janë të vjetëruara, ndotja që shkaktojnë është tepër e lartë, dhe prodhimi i tyre nuk i pergjigjet dot kërkesës në rritje të konsumatorit. Këto faktorë e bëjnë Kosovën defiçitare në prodhim energjie në vend, dhe të varur nga tregu i importit. 

Këto vitet e fundit më tepër Shqiperia por dhe Kosova si në çdo vend tjetër në rajon edhe më gjerë, kanë investuar edhe në energjinë e rinovueshme kryesisht në panelet fotovoltaike (Solar panel PV), duke ndikuar kështu në atë që quhet diversifikim i burimeve energjitike. Padyshim që projektet e nisura kanë dhënë efektet paraprake në një lloj permirësimi të situatës energjitike por do të duhet ende kohë për finalizimin edhe të projekteve të tjera në mënyrë që të arrihet niveli i dëshiruar. Në këtë konteks diversifikimi i burimeve është një shkallë më e lartë pavarësie energjitike, sepse sa më i lartë diversifikimi, më e lartë edhe pavarësia energjitike. Diversifikim do të thotë në terma të thjeshtë “prezencë e burimeve të llojeve të ndryshme në sistem”.

Por megjithatë, edhe pse diversifikimi i burimeve është i nevojshëm dhe duhet bërë, përsëri vendet tona janë ende larg asaj që quhet pavarësi e plotë energjitike. Dhe për sa kohë janë jo të pavarura energjetikisht, krizat janë gjithmonë prezente për të trokitur në derë në çdo kohë.

MekuliPress: Rilindja e gjelbër apo utopi? Dekadat e fundit, bota ka vënë theks të madh tek energjia e rinovueshme. A mendoni se ky është një revolucion i vërtetë apo thjesht një trend politik dhe ekonomik?

Markeljan Zarka: Energjia e gjelbër ose e quajtur ndryshe edhe si energjia e rinovueshme, sot në këto kohë është në qendër të vëmendjes dhe sigurisht që ka marrë një prioritet të lartë dhe kudo po investohet në keto burime. Pavaresisht prioritetit dhe marketingut qe i është bërë, energjia e gjelbër e burimeve të rinovueshme të energjisë (dielli dhe era) ende nuk garanton mjaftueshëm për të qenë alternativa e zgjidhjes definitive për energjinë e të ardhmes. Në këtë konteks, e ardhmja e projektuar si “green energy” nëpermjet paneleve diellore fotovoltaike dhe turbinave të erës është momentalisht vetëm një “utopi”. Sepse këto burime nuk mund të zëvendësojnë 100% burimet klasike, por vetëm pjesërisht ato që shfrytëzohen sot për prodhimin e energjisë.

Burimet e energjisë së rinovueshme era dhe dielli vërtetë janë të pastra për mjedisin, por kjo nuk do të thotë se vetëm ky fakt mjafton për t’i kualifikuar ato si energji 100% e gjelbër, dhe gjithashtu sistemet dhe teknologjia e përdorur sot për absorbimin dhe transformimin e këtyre energjive të erës dhe të diellit (turbinat e erës dhe panelet PV) kanë disanvantazhet e tyre në këtë çështje. Energji 100% e gjelbër nënkupton që i gjithë cikli të mbyllet me zero impakt në mjedis, dhe kjo sot për sot me teknologjinë dhe kostot e sotme të riciklimit të mbetjeve nuk është e mundur për këto burime. Konkretisht përgjatë jetëgjatësisë së një njësie turbine ere servisi për ndërrimin e fletëve të helikës është i kushtueshëm sepse duhet të ndërrohen 5 deri 6 herë fletët dhe nxjerr një sasi të konsiderueshme fletësh jashtë përdorimit. Fletët fillimisht janë ndërtuar nga materiale te kombinuara me fibra qelqi dhe rezina, përfshi këtu edhe elemente si alumini por edhe fibra druri. Më vonë me permirësimet teknologjike ndërtohen edhe plotësisht me materiale fibrash sintetike dhe qelqi dhe rezina të cilat i bashkojnë fibrat e qelqit në formë kompakte të ngurtë. Por riciklimi i tyre është i vështirë dhe tepër i kushtueshëm, dhe mënyra e trajtimit të këtyre mbetjeve sot është duke i grumbulluar në landfille, por bëhet fjalë për sasi të mëdha prej mijëra tonësh që dalin jashtë përdorimit çdo vit nga ndërrimi periodik i tyre. Vetëm një sasi tepër e vogël 5 deri 10% e tyre riciklohet duke u bluar dhe përzjere me beton për shtrime rrugësh, por sasia më e madhe ende depozitohet apo groposet në landfille. Dhe duke qenë se cikli nuk mbyllet me zero impakt në mjedis, atëhere kjo është një anë e errët e medaljes që për arsye marketingu nuk reklamohet. Dhe po kështu me panelet diellore, të cilat edhe këto kanë jetëgjatësi të shkurtër dhe problemin e riciklimit të silikonit.

Përveç problemit të riciklimit të mbetjeve që i bën keto burime jo 100% te gjelbëra pavarësisht se reklamohen si të tilla, disanvantazhi kryesor i këtyre është mungesa e rezervimit të energjisë. Pra këto burime problemin e tyre kryesor kanë mungesën e aftësisë për të rezervuar energjinë, dhe për ta rezervuar këtë energji duhen investime në sisteme shtesë të cilat rritin kostot, humbjet dhe rrjedhimisht çmimin e nergjisë që gjenerohet nga këto burime. 

Energjia elektrike që duhet prodhuar në çdo çast kohe në sistem, përcaktohet drejtpërdrejt nga kërkesa e konsumatorit, dhe burimet e sistemit i duhet t’i përgjigjen kësaj kërkese saktësisht në të njëjtën masë. Për këtë arsye burimet klasike temocentralet dhe hidrocentralet me basen hidrik, kontrollojnë prodhimin e tyre në raport me kërkesën për energji diktuar nga konsumatorët, dhe forma e këtyre burimeve se si e mbajnë energjinë të rezervuar paraprakish është në trajtën “energji primare” si lëndë djegëse apo rezervë hidrike në digë respektivisht për termocentralet dhe hidrocentralet. Por këtë veçori të tillë nuk e kanë burimet për të cilat po flasim (turbinat e erës dhe panelet fotovoltaike), këto janë derivat, prodhojnë respektivisht sipas erës apo sipas diellit dhe derivojnë prodhimin sipas këtyre faktorpve deri në “ndalje prodhimi” të plotë nëse këto faktorë mungojnë. Por nuk kontrollohen dot në bazë të kërkesës së konsumatorit. Rrjedhimisht kur kanë prodhim sepse ka erë apo diell dhe nuk ka nevojë për energji në të njëjtën masë për konsum, kjo energji e prodhuar duhet të akumulohet diku në mënyrë që të kosumohet kur të rritet kërkesa. Dhe këto sisteme apo “bateri akumulimi” për fuqi të mëdha në nivele dhjetëra apo qindra MW janë kosto e kosiderueshme investimi. Prandaj prezenca e këtyre burimeve në sistem nuk është vetëm çështje investimesh, por veret edhe nga faktorë të tjerë të cilat janë burimet e rregullueshme, sepse këto të rregullueshmet janë ato të cilat janë dhe akumuluese të energjisë. Prandaj këto burimet e energjisë së rinovueshme të erës dhe diellit nuk punojnë dot të pavarura nga burimet klasike me rezervim dhe rregullim, por vetëm në harmoni me to, ose duke bashkëjetuar së bashku me to në mënyrë që disanvantazhi i tyre të kompesohet ose të mbulohet nga avantazhi i burimeve klasike.

MekuliPress: Hulumtimi juaj – një rreze drite në të ardhmen? Ju keni bërë një studim shkencorë mbi këtë temë. Na tregoni më shumë! Çfarë mund të zbulojë hulumtimi juaj dhe si mund të ndryshojë mënyrën se si e kuptojmë dhe e përdorim energjinë?

Markeljan Zarka: Po është e vërtetë që unë kam bërë një studim të pavarur mbi këtë temë. E kam titulluar: Energjia {Burimet e Energjisë dhe Pavarësia Energjitike}.

Në përmbajtje ky hulumtim trajton në mënyrë të përmbledhur të gjitha llojet e burimeve natyrore kryesisht për prodhim energjie elektrike, nga ato klasiket dhe deri tek metodat inovative për prodhim energjie. Të klasifikuara sipas percaktimit në burime të energjisë së pa-rinovueshme dhe të energjisë së rinovueshme, duke bërë një përshkrim që më tepër ka për qëllim të nxjerrë në pah jo thjesht parimin e punës por më tepër avantazhet dhe disanvantazhet që secili burim ka. Pa lënë pa permendur dhe një nga çështjet kryesere lidhur me impaktin në mjedis. Ka gjithashtu informacione statistikore referuar burimeve të ndryshme të këtyre statistikave siç janë publikimet e agjencisë ndërkombetare të energjisë etj.

Trajtohen konceptet kryesore në mënyre që të bëhen sa më të kuptueshme mbi tregun e energjisë, dhe funksionet e sistemit energjitik etj.

Por deri këtu nuk ka asgjë të re, sepse një punë të tillë statistikore apo përmbledhje informacioni mbi llojet e burimeve, parimin dhe avantazhe e disnvantazhe, në një formë apo në një tjetër kushdo mundet ta bëj.

Çfarë unë mendova të kaloj një hap më tutje është puna për të ideuar dhe zhvilluar një sistem inovativ për prodhimin e energjisë, për të cilin unë mendoj se nëse arrij të gjej mbështetjen e duhur për ta ndërtuar fillimisht në fazë eksperimentale laboratorike për ta vertetuar si ide që ka rezultat dhe funksionon, kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për të orientuar fokusin drejt energjisë së rinovueshme për të ardhmen.

Ky sistem për të cilin unë kam punuar dhe propozoj si alternativë për çështjen e energjisë shfrytëzon ujin, ç’ka e kualifikon këtë për të qenë burim i rinovueshëm energjie, dhe miqësor me mjedisin. Sistemi është inovativ, i aftë të transformoj të gjithë sasinë e energjisë të trajtës potenciale hidrike që uji disponon, dhe rrjedhimisht të mund të perftojmë një sasi më të madhe energjie në dalje. Nëse do të duhet ta krahasojmë këtë sistem inovativ me sistemin klasik të përdorur sot në hidrocentrale, në të njëjtat kushte sasia e energjisë në dalje do të jetë dyfishi i asaj që aktualisht prodhohet.

MekuliPress: A ka Shqipëria/Kosova një të ardhme energjetike të ndritur? Duke parë përpara, çfarë sfidash dhe mundësish shihni për zhvillimin e energjisë? A ka hapësirë për ide inovative apo po hasim në pengesa burokratike dhe mungesë vullneti?

Markeljan Zarka: E ardhmja gjithmonë duhet të shihet me perspektivën pozitive, pavarësisht situatës aktuale e cila në disa aspekte duket pesimiste, përsëri ne nuk duhet të pajtohemi me këtë për ta parë edhe të ardhmen si të zymtë. Është fatale të shohësh të ardhmen si negative, nuk është aspak e duhur edhe në aspektin psikologjik për të qenë i motivuar për të bërë diçka nëse nuk tregon optimizëm. 

Situtata aktuale në Shqipëri, ndoshta jo në të njëjtën gjendje dhe në Kosovë, nuk është shumë e favorshme lidhur me përkrahjen e ideve inovative apo qoft edhe të sigurisë së besueshmërisë që autoritetet ofrojnë.

Për nga burimet hidrike që ka Shqipëria pa marrë në konsideratë alternativat e tjera, nëse do të administoheshin për interesa publike nga persona specialistë të fushës energjitike dhe do të trajtoheshin vërtetë si asete kombëtare, sot nuk do duhej të diskutohej situata energjitike, sepse do të ishte një problem i të shkuarës. Megjithatë edhe sot, asnjëherë nuk është tepër vonë nëse ka vullnet politik, çdo gjë është e mundur. Sepse nuk janë gjithmonë mundësitë financiare ato që zgjidhin çështjet, por janë idetë ato që bëjnë revolucionet dhe sjellin ndryshimet. Dhe në këtë pikë kushdo që ka dhe mundet të ofrojë ide duhet të përkrahet dhe të mbështetet. Por realiteti është se qeveria jonë propaganton meritokracinë por jo domosdoshmërisht meritokracia funksionon sepse çdo gjë është komerciale apo si rezultat i mbështetjes politike. 

MekuliPress: Nëse zbulimet tuaja do të ndryshonin botën, kush po ju dëgjon? A është e interesuar qeveria apo institucionet shqiptare (Në Tiranë dhe Prishtinë) për punën tuaj? A keni kontaktuar dikë për të ndarë këto zbulime? Dhe mbi të gjitha, a ka gatishmëri për të investuar në idetë tuaja? Në shumë vende, këto kërkime paguhen dhe mbështeten – si qëndron Shqipëria/Kosova në këtë aspekt?

Markeljan Zarka: Që një ide të realizohet sigurisht që ka një kosto, fillimisht per ta aplikuar në një shkallë laboratorike në miniaturë në të cilën eksperimentohet modeli, dhe më pas ndërtimi në shkallë reale, ose siç njihet ndryshe si komercializimi i produktit.

Sot këto fazat fillestare eksperimentale njihen si “startup”. Por kur bëhet fjalë për inovacion dhe ide të reja të cilat mund të zgjidhin probleme të mëdha si çështja e energjisë duhet menduar njëkohësisht edhe mbrojtja e të drejtave të pronësisë mbi këtë sistem inovativ.

Pavarësisht se çdo vend ka një zyrë patentash ku secili mund të rregjistrojë një ide apo një sistem që ai e ka zhvilluar, siguria dhe mbrojtja ligjore e të drejtave të autorit mbi këtë pronësi varet më tepër nga reputacioni i vendit ku patentohet ai sistem. Dhe në këtë aspekt vendet tona Shqiperi dhe Kosovë, nuk konsiderohen të sigurta që të garantojnë një mbrojtje në nivel ndërkombëtar për gjëra të tilla me shumë vlerë.

Por kjo çështja e patentës është më e thjeshtë për tu kapërcyer sepse sot janë të gjitha mundësitë për ta rregjistruar kudo, në një vend tjetër që ka reputacion për siguri të lartë.

Pengesa që unë kam ndeshur është më tepër në aspektin e mbështetjes për startup të procesit, e thënë ndryshe ndërtimi në miniaturë dhe eksperimentimi në fasa laboratorike të sistemit.

Nga sa përpjekje kam bërë duke kontaktuar agjensi apo kompani të ndryshme, deri sot nuk ka patur ndonjë përgjigje pozitive.

Lidhur me këtë në Shqipëri kam kontaktuar me disa persona në fushën e biznesit, por nuk kam parë ndonjë gatishmëri për të përkrahur dhe mbështetur ide të tilla. Ndoshta ata nuk janë të interesuar të investojnë në gjëra të tilla, sepse i shohin me skepticizëm, apo për arsye të tjera por ky është fakt.

Më tepër investitorë dhe biznesmenë janë të gatshëm të investojnë në përmirësime teknologjike të cilat përmirësojnë efiçensën sesa në ide komplet të reja.

Sistemi që unë kam zhvilluar nuk ka të bëjë me përmirësim rendimenti, pra si të thuash nëse në një hidrocentral sot përdoret një lloj turbine e cila për shembull ka një rendiment 93 – 94%, dhe dikush paraqet një përmirësim të kësaj e cila ka një rendiment pak më të lartë deru në 96%. 

Sistemi që unë propozoj është diçka krejt tjetër, sepse ka të bëj jo me përmirësim por me revolucion në hidroenergji.

Për të qenë më e kuptueshme kjo, ky sistem për të cilin unë kam punuar në ndryshim nga sistemet klasike (turbinat) që sot janë në përdorim në çdo hidrocentral, është i aftë të gjeneroj deri në dyfishin e energjisë për të njëjtën sasi uji.

Kjo tingëllon utopi ose si diçka e pamundur sepse të gjenerohet një sasi e tillë energjie njëherësh nënkupton të kalohet në një burim autonom, por kjo nuk do të thotë se diçka e tillë është e pamundur.

Çfarë e bën të pabesueshme këtë ide dhe me të drejtë e bën skeptik këdo që e dëgjon, është fakti se energjia nuk mund të krijohet nga asgjëja, bazuar kjo në ligjin e ruajtjes dhe shndërrimit të energjisë.

Dhe nëse në një sistem turbinë standarte që punon në një hidrocentral sot, rendimenti vleresohet 95÷97%, çka do të thotë se 95% apo 97% e energjisë kinetike hidrike që hyn në turbinë, transformohet nëpërmjet saj duke u transferuar në gjenerator dhe më pas në elektricitet, atëherë si mundet të gjenerohet dyfish energji nga një lloj tjetër “turbine” apo çfarëdo qoftë kjo kur pjesa e mbetur e energjisë hidrike e cila nuk arrin të transformohet për shkak të humbjeve në sistemin klasik është vetëm 3÷5%???

Kjo është dilema më legjitime bazuar në ligjin e ruajtjes së energjisë që këdo e bën skeptik.

Dhe përgjigja ime për këtë pyetje të arsyeshme është që uji disponon edhe një lloj tjetër energjie e cila deri sot nuk është marrë në konsideratë për t’u shfrytëzuar. Dhe nëse kjo energji është evidente, pavarësisht trajtës së saj “të panjohur” e cila është e ndryshme nga trajta e njohur që ne shfrytëzojmë sot “forma kinetike e energjisë hidrike”, atëherë edhe kjo formë energjie mundet të shfrytëzohet duke iu nënshtruar të njëjtit ligj të transformimit të energjisë si çdo trajtë tjetër energjie.

E gjithë çështja nuk është tek mënyra se si të transformohet për ty kthyer në formën e dëshirueshme për përdorim, por më tepër ka të bëjë me absorbimin e kësaj forme të energjisë së pari dhe më pas me transformimin e saj pasi të jetë absorbuar.

Ky sistem për të cilin unë kam punuar, dhe propozoj si zgjidhje për problemin e energjisë mundëson pikërisht këtë, absorbon dhe transformon këtë formë të panjohur të hidroenergjisë. Ndërsa pjesa e njohur e hidroenergjisë që është foma kinetike e saj po njëlloj do të vazhdojë të shfrytëzohet me turbinat që kemi sot.

Dhe rrjedhimisht në dalje të këtij sistemi i cili në njëfarë mënyre është kombinimi i të dyjave (forma klasike dhe inovative) arrin të japi në dalje dyfishin e energjisë që ne marrim sot me aplikimin vetëm të turbinave.

Prandaj fokusi im nuk ka qenë mbi përmirësim rendimenti të diçkaje që aktualisht është, por në zhvillimin e diçkaje të re e cila i jep zgjidhje çështjes se energjise.

Si mbyllje të kësaj interviste, shpresoj që sadopak të ketë një lloj interesi nga bota shqiptare e biznesit brenda dhe jashtë vendit, për të treguar gatishmëri për të mbështetur dhe investuar në këtë startup për ndërtimin e këtij sistemi hidroenergjie i cili mendohet të japë zgjidhje njërit prej problemeve më të mëdha që ndeshemi sot, energjia.

Do të dëshiroja që ky sistem të ishte “Made in Albania” ose “Made in Kosova, dhe për këtë kemi (ndoshta) ende në kohë.

Faleminderit!
MekuliPress: Faleminderit për kohën dhe për intervistën e sinqertë dhe me plot informacione për lexuesin. Shpresojmë se ky zbulim i juaji shekncor të shkoj në veshin e ndonjë biznesmeni shqiptarë apo të Qeverive tona, që do të ndihmonte në konkretizimin e këtij zbulimi të rrallë e të paparë në botën e energjisë.


By