“S’ka komb shqiptar, ka vetëm fise shqiptare.” – Nikolla Pashiq

“Duaje Nënën Shqipëri, sepse ajo nuk do të vdesë kurrë!” – Adem Demaçi

“Shqipërinë e pabërë bëje Shqipëri të bërë. Bëje ose vdis!” – Ukshin Hoti

“Ne, sikurse të parët tanë, luftuam për atdheun e të gjithë shqiptarëve!” – Adem Jashari

Arbër ZAIMI, Tiranë

Lehtë është të gjesh deklarata e citime autorësh serbë, të famshëm e të pafamshëm, ku mohohet ose poshtërohet qenia shqiptare. Të rrallë janë, e megjithatë ekzistojnë e duhen nderuar, edhe autorët serbë që pa drojë e kanë mbrojtur barazinë mes kombeve dhe e kanë kundërshtuar shkeljen e shqiptarëve. Sidoqoftë, linja dominuese në Beograd ka qenë gjithnjë ajo e ekspansionit të shtetit serb në kurriz të shqiptarëve, linjë herë me tendenca asimiluese, herë spastruese. Për këtë arsye zgjodha të vë në krye të shkrimit citimin nga Nikolla Pashiqi, kryeministri jetëgjatë serb, i cili e ka mbajtur atë pozitë disa herë, në fund të shekullit të XIX e në fillim të shekullit XX. Pikërisht gjatë viteve kur Serbia pushtoi e spastroi shumë territore që deri atëherë ishin banuar kryesisht prej shumicave të pastra shqiptare, në Sanxhakun e Nishit, por edhe më vonë, më 1912, kur i pushtoi edhe trojet e tjera shqiptare të Kosovës së sotme, Sanxhakut dhe pjesët shqiptare të Maqedonisë së Veriut, troje ku edhe pse u zbatuan politikat spastruese e asimiluese, nuk patën po aq sukses sa në Sanxhakun e Nishit. Pashiqi ishte prijës edhe gjatë ekspansionit më të madh që Serbia pati në shek. XX, kur u krijua Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene, e cila mbahet në kujtesën popullore të shqiptarëve si “Jugosllavia e Parë”. Me krijimin e Jugosllavisë, Pashiqi siguroi për vete një vend tepër të rëndësishëm në historinë moderne serbe, sepse ky shtet, për nga territori, demografia, ekonomia dhe pozita strategjike, kishte mundësi të projektohej si një fuqi europiane. Andaj, në fill të shkrimit po e marr pikërisht deklaratën e atij që e rriti dhe forcoi ëndrrën ekspansioniste serbomadhe. Është interesante, por deklarata e Pashiqit për shqiptarët nuk dallon shumë, as në frymë e as në përmbajtje, me ato që u thanë shtatëdhjetë vite më vonë prej Millosheviqit, njeriut që e drejtoi Serbinë përgjatë prishjes së Jugosllavisë. Dikush që nuk i njeh rrethanat do të mund të mendonte se Pashiqi e Millosheviqi janë antipodë (njëri drejtoi përgjatë kohës kur u rrit e u forcua një shtet, ndërsa tjetri drejtoi përgjatë kohës kur po ai shtet u copëtua e u prish), por Pashiqi e Millosheviqi janë e njëjta gjë – të dy luftuan mizorisht për të njëjtin projekt të ndërtuar mbi vuajtjet, shtypjet e zhdukjet e popujve të tjerë dhe të kundërshtarëve.

Linja politike Pashiq – Millosheviq, e cila përgjatë komunizmit e kaloi stafetën te Rankoviqi mizor, nuk ka qenë vetëm linjë e politikanëve të etur për pushtet. Ka qenë edhe linjë e përqafuar nga shumë artistë, intelektualë, shkencëtarë, shkrimtarë e poetë, deri edhe nga nobelisti i vetëshpallur serb, Ivo Andriq, autor i disa faqeve të turpshme për zgjidhjen e “problemit shqiptar”.

Shqiptarët e mbetur nën Jugosllavi rezistuan në tre mënyra. E para ishte rezistenca e së vërtetës së shpirtit të pathyeshëm shqiptar, përfaqësuar nga qindra të burgosur politikë. Ndër ta më i artikuluari e më vizionari, për pasojë edhe më gjatë i burgosuri, ishte Adem Demaçi. E dyta ishte rezistenca e argumentit shkencor, historik e akademik, përfaqësuar nga dhjetëra profesorë që u ngritën intelektualisht më shumë sesa lejonte servilizmi, përfaqësuar në shkallën më të lartë nga Ukshin Hoti, edhe ai i burgosur e më pas i zhdukur nga dora e regjimit. Rezistenca e tretë, ajo e zjarrit të pushkës, ishte përfaqësuar nga mijëra djem e vajza të popullit, që i kapën armët qysh prej 1913, e që masivisht dolën në mal e në luftë guerile në vitet 1998-1999, të cilët i përfaqëson më së miri heroi i sakrificës sublime, Adem Jashari, që ra me armë në dorë bashkë me gjithë familjen e tij më 7 mars 1998.

Çka është kuptimi i asaj që thoshte Pashiqi? Që shqiptarët janë pike e pesë. Që janë pa ndjenjë kombëtare, janë thjesht fise. Për ta më i rëndësishëm është kushëriri sesa bashkëkombasi. Më i rëndësishëm është kumbara ose shoku e miku, me të cilin hanë bukë e pinë raki, sesa një i panjohur qindra kilometra larg, që flet në gjuhën e tyre. Shqiptarët nuk kanë interesa të përbashkëta, thotë Pashiqi. Vetëm interesa të atypëratyshme, të ngushta, të vogla. Interesat e përbashkëta janë ato që shquajnë kombet prej jo-kombeve. Në fakt, sipas logjikës raciste (që sot po fiton sërish terren nëpër botë), interesat e përbashkëta janë prerogativ i të qytetëruarve, ndërsa ata që nuk mund të kenë të tilla janë të paqytetëruar. Duke qenë se interesat e përbashkëta çojnë te forca e përbashkët, koncepti i qytetërimit bën qark të shkurtër me atë të forcës. E racistët mund ta mendojnë (nëse nuk e thonë), se forca është shenjë qytetërimi, ndërsa dobësia shenjë e mungesës së tij. Të gjitha këto janë brenda thënies së Pashiqit se shqiptarët nuk janë komb, po thjesht fise. Memorandumi i mëvonshëm i Çubrilloviqit s’është gjë tjetër, veçse shtjellim i kësaj thënieje. Çubrilloviqi, akademik e politikan, shkruante se serbët mund ta zgjidhin lehtë “problemin shqiptar”, duke paguar për t´i përçarë shqiptarët. Korrupsioni i madh, lakmia për para, prona e vese, tipar gjithaq i njohur i të paqytetëruarve.

Përçarja që serbomëdhenjtë e impononin tek shqiptarët i kishte disa elementë. Përçarja religjioze nuk pati sukses të madh, sepse shqiptarët ndryshe nga sllavët e jugut nuk e kanë identitetin kombëtar të ndërtuar mbi ekskluzivitetin fetar, kështu që u vu theksi te përçarja krahinore, duke i ndarë shqiptarët e Jugosllavisë në tre republika, duke mos lejuar krijimin e institucioneve të përbashkëta e gjithëpërfshirëse, e sidomos duke i fryrë përçarjes midis shqiptarëve të Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Jugosllavia kishte interes të madh për të nxitur vetëdeklarimin e shqiptarëve si turq ose si sllavë myslimanë (gjë që shihet tek ndryshimi i mbiemrave gjatë asaj kohe), kishte interes në provokimet me natyrë fetare mes katolikëve e myslimanëve shqiptarë, teksa ortodoksët i sllavizoi përmes kishës pravosllave, kishte interes të vinte në dukje se si shqiptarët e Maqedonisë ishin ndryshe nga ata të Kosovës, e ata të Malit të Zi gjithashtu ndryshe, por në mënyra të tjera, e më të ndryshmit prej të gjithëve ishin ata nga Shqipëria. Bimë të këtyre farave të këqija, që u mbollën gjatë periudhës jugosllave, ende mbijnë sot midis nesh, madje përqafohen si fakte të pandryshueshme, po ne shqiptarët jemi të ndryshëm nga vetvetja, nuk jemi një komb, por jemi po aq kombe sa ç´ka dashur Pashiqi e Titoja. Shqiptarët, të cilët për shekuj e shekuj kishin jetuar pa kufij mes njëri-tjetrit, na paskan ndryshuar aq shumë gjatë Jugosllavisë, këtij shteti që sundoi për më pak se 85 vite mbi një pjesë të kombit shqiptar. Pra, kombi, kjo pjellë e mijëvjeçarëve, që ka parë perandori të ngrihen e të bien, na u shkombëtarizua për më pak se një shekull e na u krijuan kombe të reja, sepse kështu deshi një shtet apo një tjetër. Pretendim arrogant.

Adem Demaçi, i njohur edhe si Demë Dema, në romanin e vet autobiografik “Dashuria Kuantike e Filanit” tregon një histori të veçantë. Përballja e tij me përçarjen që përpiqej të mbillte Jugosllavia për shkombëtarizimin e shqiptarëve vjen përmes një figure me pretendime të larta intelektuale e kinse jonacionaliste, si shkrimtari serb Dobrica Qosiq (me të cilin shumë më vonë bën një letërkëmbim polemik edhe Ismail Kadareja). Ja çfarë shkruhet në romanin e Demaçit:

“Nga Beogradi na kishte ardhur “mysafir” shkrimtari-partizan Dobrica Qosiqi. Partia e kishte dërguar që të na mbante vajz se si ne, shkrimtarët e Kosovës, duhet ta krijonim letërsinë tonë. Ai, në zjarrin e fjalës së vet, duke rrahur foltoren me grusht, ashtu partizançe, në gjuhën e vet, ndër shumë gjëra të tjera, tha: … Futeni plugun thellë dhe hapeni hullinë e parë! Nisjani nga fillimi dhe krijojeni letërsinë tuaj këtu, në gjuhën tuaj, por në frymën e patriotizmit socialist jugosllav!…

Këtë tha shkrimtari-partizan nga Beogradi dhe shkoi e u ul në podium krahas Dushan Mugoshës-Duçit. Shikoj djathtas-majtas, të gjithë rrahin shuplakët përveç Zekeria Rexhës, Esad Mekulit dhe meje…

Dushan Mugosha-Duçi hapi diskutimin. U ngritën disa sahanlëpirës, disa të mjerë, disa kalemxhinj e disa lustraxhinj. Vetëm i binin djathtas-majtas e i silleshin vërdallë muhabetit. Disa, madje, i binin edhe mistri asaj që tha Dobrica Qosiqi por askush nuk e tha atë që kërkonte momenti. I çova dy gishta. Duçi ma dha fjalën. Duke dalë në foltore, vetmevete thashë: “Hajde, ndihmo i madhi Zot!” dhe nisa fjalën time: – … Ne nuk kemi nevojë që ta fillojmë letërsinë tonë prej se parit. Si duket shkrimtari nga Beogradi, Dobrica Qosiq, nuk e ditka se ne e kemi letërsinë tonë. Ne duhet vetëm të vazhdojmë atje ku e kanë lënë shkrimtarët tanë të mëdhenj: Pjetër Budi, Frang Bardhi, De Rada, Naimi, Çajupi, Mjedja, Asdreni, Noli, Migjeni, Luigj Gurakuqi, Mihal Grameno, Lasgush Poradeci, Sterjo Spasse, Mitrush Kuteli e shumë të tjerë…

Duçi as nuk më shau, as nuk më tha faleminderit për fjalën time. Gjysma e të pranishmëve rrahu shuplakët, gjysma tjetër jo. Mirëpo, në atë ftohtësi të akullt, ishte si një lule që çel pranverën e hershme thirrja e qartë, ndonëse e vetmuar, por fort domethënëse e profesor Zekeria Rexhës:

– Bravo Filan!…

Në drekën që kishte shtruar Komiteti për nder të shkrimtarit-partizan nga Beogradi, mua nuk më ftuan. Por, as edhe nuk më nganë më tutje. Vazhdova punën ku isha. Mirëpo “partiashët” dy herë bënë përpjekje që të më bindnin që të hyja në parti… Refuzova të dyja herat…”

Fillimisht iu propozua shkombëtarizimi. Adem Demaçi nuk e pranoi, me zemrën e pastër dhe mendjen e kthjellët të shqiptarit që nuk heq dot dorë nga Nëna Shqipëri. Meqë nuk e pranoi kërkesën, atëherë i vjen oferta, për t’u futur në parti, për t´u bërë dikushi, për të vendosur vetveten përpara kombit. As këtë nuk e pranoi Demaçi. Këtu filloi cikli i burgjeve të tij, që zgjati 28 vjet. Thuajse tre dekada kurrë pa u epur, pa u përkulur, pa u përshtatur. Në burgjet e Jugosllavisë, përballë gardianëve që “bënin detyrën”, bashkë me shumë shqiptarë të tjerë të burgosur, sepse s’qe Demaçi i vetmi që kërkonte liri e bashkim kombëtar, ai u bë vigani i qëndresës shqiptare, heroi i gjallë, dëshmia se si lartësia e shpirtit njerëzor nuk thyhet nga dhuna e tiranive dhe pushteteve gjakatare.

“Shqiptarët më gatuan për të mirën e vet, e pushtuesit serbë më kalitën e më farkuan për të zezën e vet”, thoshte Adem Demaçi, i paepuri, progresisti, qëndrestari, njeriu që kurrë nuk e tradhtoi as idealin, as bashkësinë, as vetveten. Më vonë, kur Kosova u çlirua e u pavarësua, një polic serb e pati pyetur Adem Demaçin në kufi, teksa ky po shkonte për të mbajtur një ligjëratë në Beograd, se a mundej ai të kthehej në Kosovë ku jetonte dikur. Demaçi e pati pyetur policin “Çfarë pune ke bërë në Kosovë?”. Pasi ai kishte treguar se ka qenë polic gjithmonë, Demaçi ishte përgjigjur: “Por, policët në kohën e regjimit kanë bërë krime”. Polici ishte përgjigjur se e kishte bërë vetëm detyrën dhe se s’qe faji i tij. Me ironi të hollë Demaçi i tha: “Mirë, kthehu, por kij parasysh se sot Kosova ka plot djem që kryejnë detyrën”. E, pra, qëndresa e tij përballë regjimit është shembulli i qytetërimit të mirëfilltë, ndërsa kryerja e detyrave çnjerëzore dhe zbatimi i urdhrave kriminalë janë shenjë e mungesës së çdo qytetërimi. Po të jetë puna për “zbatuesit e detyrave”, kurrë drejtësi, paqe e zhvillim nuk mund të ketë.

Adem Demaçi e ka denoncuar dhunën dhe shtypjen, jo ndaj vetë atij, por ndaj popullit të vet, pa iu trembur burgut. Ai i thoshte të motrës: Po na vranë mirë, vdesim për lirinë e Kosovës. Por, edhe po mbijetuam, prapë mirë, e gëzojmë lirinë bashkë me të tjerët!”. Çlirimin ia vuri detyrë vetes dhe trupin e vet e bëri banesë të idesë. Edhe në fund të jetës, kur kishte vështirësi në të folur, një ndër togfjalëshat që e shqiptonte qartë e rrjedhshëm ishte “Nana Shqipni”. Asaj ia kishte blatuar jetën. Për “Nënën Shqipëri”, konceptin që nuk përmblidhet në kufijtë e Shqipërisë së sotme, foli edhe argumenti shkencor i Ukshin Hotit, edhe ai ushtarak i Adem Jasharit.

Ata vazhdimisht e kundërshtuan Serbinë pushtuese, kolonizuese e shtypëse, pa shfaqur kurrë urrejtje a esencializim ndaj serbëve. E deshën popullin e vet të lirë dhe u angazhuan për lirinë me çdo çmim, por nuk ia dëshiruan robërimin e fatkeqësinë askujt. Ky është qytetërimi i vërtetë. Në fakt, kjo është edhe forca e vërtetë. Forca për të vrarë e për të spastruar nuk është gjë tjetër, veçse shpërthim i dobësisë, i sëmundjes, i frustrimit.

Ata e deshën plotësisht sovranitetin e kombit të vet, jo si izolim, po si e vetmja mënyrë për hapje e paqe. Veç kur kombet e Ballkanit ta njihnin njëri-tjetrin si të barabartë, e të hiqnin dorë prej pretendimeve hegjemonizuese, do të bëhej i mundur bashkëveprimi fqinjësor e miqësor mes tyre.

Ata nuk u bënë kurrë kryeministra a presidentë, sepse nuk rendën pas pushtetit e nuk i pranuan ofertat për të hyrë në parti. Por, autoriteti i tyre i përbashkon shqiptarët dhe ata do të mbahen mend si shenjues të kohës së tyre, më shumë se secili pushtetar mendjemadh.

Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Adem Jashari e qindra të tjerë janë mishërimi i qëndresës shqiptare, veprimtarë të pathyeshëm çlirimtarë, të burgosur politikë e luftëtarë, intelektualë e shkrimtarë guximtarë, tribunë popullorë, që do të mbeten frymëzim për cilindo shqiptar që dëshiron t’i hyjë rrugës vetësakrifikuese për emancipimin e popullit tonë, luftës e përpjekjes gjer në barazi me popujt e tjerë. Ata janë një ndër pikat kulmore të qenies shqiptare e të asaj njerëzore.

Në kohërat kur tradhtia është “demokratizuar”, e kur shitblerja e njerëzve dhe parimeve imponohet si “normalitet”, të paepurit janë fanari ynë i vetëm dhe shenjë se, për inat të Pashiqit e pasardhësve të tij, ne jemi komb.

Lavdi e jetës dhe veprës së tyre, të paharrueshëm sa të jenë gjallë shqiptarët!

Burimi: revistashenja

By