Sipas burimeve anonime të agjencisë së lajmeve Reuters, SHBA po kërcënon të ndërpresë qasjen e Ukrainës në internetin Starlink të Elon Musk nëse Ukraina nuk i jep SHBA-së akses në mineralet e rralla të vendit.
Starlink është një sistem interneti i bazuar në satelit, i cili është jetik për lidhjen e internetit në Ukrainën e shkatërruar nga lufta dhe për ushtrinë e saj.
Sipas tre burimeve, zyrtarë amerikanë kanë diskutuar këtë mundësi me homologët ukrainas pasi Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyj, refuzoi një propozim fillestar nga Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, për akses në mineralet e Ukrainës.
Zelenskyj gjithashtu kishte refuzuar më herët kërkesat e administratës Trump për burime minerale me vlerë 500 miliardë dollarë, si kompensim për ndihmën ushtarake të SHBA-së.
Kërcënimi është përsëritur në një takim të fundit midis të dërguarit amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, dhe Zelenskyjt, ku Ukraina është paralajmëruar për një ndërprerje të menjëhershme të Starlink nëse nuk pranon marrëveshjen për mineralet kritike./MekuliPress/