Nga redaksia MekuliPress
Njëra nga bastionet më të fuqishme të dijes në botë, Universiteti i Harvardit, ka hyrë në një përplasje të drejtpërdrejtë me Donald Trumpin dhe administratën e tij. E gjithë kjo, sepse Harvardi, për “gabimin” e pafalshëm të mosnënshtrimit, refuzon t’i nënshtrohet një liste kërkesash absurde që do të bënte zili edhe një regjim autoritar.
Çfarë kërkon Trumpi? Mbyllje të programeve për barazi dhe përfshirje, kontroll mbi studentët e huaj dhe bindjet e tyre politike, raportim te autoritetet të atyre që kanë “pikëpamje anti-amerikane” dhe, për të mos lënë gjë mangut, kontroll të rreptë mbi çdo punësim dhe pranime të reja studentësh. Dhe pse jo? Edhe një “inspektim ideologjik” të rregullt të profesorëve dhe studentëve, në stilin më të pastër të McCarthy-t të shekullit XXI.
Por rektori i Harvardit, Alan M. Garber, i ka dhënë një përgjigje që do të mbetet në histori:
“Universiteti nuk do të dorëzohet.”
“Askush, pavarësisht partisë, nuk duhet të diktojë se çfarë mund të mësojnë universitetet private, kë duhet të pranojnë apo kë duhet të punësojnë.”
Ish-presidenti Barack Obama, një ish-student i Harvardit, u bë menjëherë zëri i mbështetjes: “Harvardi po jep shembullin e duhur për institucionet e tjera.”
Çmimi i guximit: 20 miliardë dollarë
Trumpi, si zakonisht, nuk e priti mirë kundërshtimin. Menjëherë pas përgjigjes nga Harvardi, administrata ndaloi 20.3 miliardë korona në fonde publike për universitetin. Dhe ky është vetëm fillimi.
Universitetet elitare si Harvard marrin një pjesë të konsiderueshme të buxhetit nga fondet federale. Por Harvardi ka edhe diçka që shumë të tjerë nuk kanë: pasuri të jashtëzakonshme dhe një reputacion që nuk blihet me miliarda. Ndryshe nga Columbia University dhe shumë të tjera që tashmë janë dorëzuar përballë trysnisë, Harvardi zgjedh betejën.
Profesorët në ofensivë
Më shumë se 600 profesorë nga Harvardi kanë nisur një padi kundër administratës së Trumpit, duke akuzuar atë për përdorim të fondeve publike si armë politike për të kontrolluar lirinë akademike dhe fjalën e lirë. Dhe nuk ndalen vetëm me gjykatat, protestat studentore dhe akademike kanë shpërthyer në kampus.
“Universiteti pa shkëmbim të lirë idesh nuk ka më kuptim,” thonë profesorët.
Lufta për shpirtin e Amerikës
Por pse e ka vënë në shënjestër Trumpi pikërisht Harvardin? Sepse është simboli më i madh i elitës intelektuale, pikërisht ajo që ai dhe ndjekësit e tij “anti-elitë” (megjithëse miliarderë) e urrejnë më së shumti. Harvard përfaqëson diversitetin, mendimin kritik, barazinë, dhe ndershmërinë intelektuale, fjalë që për kampin konservator janë bërë sinonim me “rrezik kombëtar”.
Kjo është më shumë se një betejë mes një universiteti dhe një presidenti; është një përplasje për shpirtin e demokracisë amerikane. Dhe tani, kur shumë janë dorëzuar, Harvardi vendosi të qëndrojë.
Nëse historia na ka mësuar diçka, është se ndryshimi shpesh fillon me një “jo”.