Nga MekuliPress

Kosova gjendet në një prej krizave më serioze institucionale që nga shpallja e pavarësisë. Dy seanca të dështuar të Kuvendit, një qeveri në detyrë që ka dhënë dorëheqje, dhe mungesa e konstituimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kanë krijuar një vakum të rrezikshëm institucional. Por përtej debatit teknik, ky ngërç është në thelb një lojë politike, ku secila palë kërkon të përfitojë nga koha dhe perceptimi publik.

Opozita, e përbërë nga LDK, PDK dhe AAK, ka refuzuar verifikimin e mandateve të deputetëve të rinj, duke përdorur një interpretim juridik të nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, i cili ndalon një ministër në detyrë të jetë njëkohësisht deputet. Në këtë mënyrë, ajo ka bllokuar formimin e Kuvendit, ndonëse realisht nuk ka as forcë, as vullnet për të krijuar një qeveri të sajën. Qëllimi i vetëm është të delegjitimojë Albin Kurtin dhe të krijojë idenë e pafuqisë së tij për të garantuar stabilitet.

Nga ana tjetër, Kurti dhe kabineti i tij kanë bërë të qartë se dorëheqja e tyre është dorëzuar që më 23 mars, me përfundimin e mandatit të qeverisë së kaluar. Qëndrimi në detyrë është kushtetues dhe ndodh për të shmangur boshllëkun institucional. Por ajo që e bën këtë krizë edhe më të thellë është diçka tjetër: fitorja e Vetëvendosjes nuk erdhi me shumicë absolute. Partia ka 48 deputetë, por me mbështetjen e Nismës, komuniteteve joshumicë dhe një deputeti serb që nuk i përket Listës Serbe, ajo arrin në një shumicë të thjeshtë prej 62 deputetësh, pra sa mjafton për formimin e institucioneve.

Këtu qëndron edhe thelbi i dilemës: pse nuk po e përdor Vetëvendosja këtë shumicë për të konstituuar Kuvendin? Përgjigjja është se kjo mazhorancë është tejet e brishtë për të garantuar stabilitet afatgjatë. Prandaj Kurti synon të fitojë kohë, ndoshta për të rritur shumicën, ndoshta për të lejuar që opozita të reflektojë. Por ai refuzon kategorikisht të pranojë atë që për vite ka qenë kushti i heshtur për qeverisje në Kosovë: Listën Serbe.

Në mënyrë të prerë, Albin Kurti ka refuzuar çdo bashkëpunim me Listën Serbe, duke e delegjitimuar si instrument të Beogradit dhe jo si përfaqësuese të serbëve të Kosovës. Ky është një veprim me peshë politike dhe simbolike të madhe. Është një qëndrim që nuk synon vetëm ruajtjen e sovranitetit institucional, por edhe kthimin e politikës së Kosovës tek burimi i saj legjitim: vota e lirë e qytetarëve, jo direktivat nga jashtë.

Opozita e di mirë këtë. Ajo e di që Kurti nuk do të bëjë kompromis me Listën Serbe. Dhe pikërisht këtë e përdor për të shtyrë krizën, për të dobësuar pozitat e tij dhe për të krijuar idenë e paqëndrueshmërisë. Por në të njëjtën kohë, ajo nuk ka asnjë alternativë reale për të ofruar.

Prandaj kjo krizë nuk është një debat mbi kushtetutën, por një përballje midis dy vizioneve për shtetin: njëra që e sheh Kosovën si produkt të marrëveshjeve të jashtme dhe lëshimeve të brendshme, dhe tjetra që kërkon ta ndërtojë sovranitetin mbi një shumicë të pastër dhe mbi refuzimin e imponimeve.

Vetëvendosje është një organ që refuzon të marrë pushtetin me çmimin e përfshirjes së Listës Serbe në të. Dhe ky refuzim është, në vetvete, një hap i madh përpara për një Kosovë ashtu siq e duam dhe ashtu siq duhet të jetë

By