Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka njoftuar se është mbyllur kompania paralele e Sebisë ujësjellësi “Ibar” në Mitrovicën e Veriut.

Ajo ka argumentuar se kjo ka ndodhur me kërkesë të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike të Ministrisë së Ekonomisë.

“Ky është një hap konkret që i shërben sundimit të ligjit dhe funksionalizimit të shërbimeve publike nga institucionet e shtetit tonë. Në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar në janar të këtij viti mes KRU Mitrovicës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut, shërbimet e rregullta e më cilësore për qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Veriut do të ofrohen nga KRU Mitrovica, me standarde më të larta dhe në përputhje të plotë me ligjet tona”, ka pohuar ministrja Rizvanolli.

Gjithashtu, ajo ka falënderuar Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe ka falënderuar KRU Mitrovicën për gatishmërinë për t’u shërbyer të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim.

“Ky është shteti ynë, këto janë institucionet tona, dhe ato do të jenë të vetmet që shërbejnë në Republikën e Kosovës”, theksoi ajo.

By