Hyrje për Memorandumin “Dëbimi i Shqiptarëve” të Vaso Çubriloviqit (1937)
Historia e një urrejtjeje që ende gjallëron në forma të reja.

Në pranverën e vitit 1937, një ndër figurat më të errëta të historiografisë dhe politikës serbe, Vaso (ose Vasa) Çubriloviq, historian, akademik dhe nacionalist, ia dorëzoi qeverisë së kryeministrit jugosllav Milan Stojadinoviq një dokument që nuk ishte thjesht një analizë politike, por një projekt sistematik për spastrimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone, veçanërisht nga Kosova. Ky memorandum, i titulluar “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi i Shqiptarëve), përbën një nga dëshmitë më të qarta të racizmit shtetëror të institucionalizuar kundër shqiptarëve në Ballkan.

Çubriloviqi, i lindur në Bosanska Gradishka dhe pjesëmarrës në atentatin e Sarajevës kundër Franc Ferdinandit më 1914, ishte jo vetëm një figurë politike por edhe një ideolog i dhunës strukturore ndaj shqiptarëve. Si anëtar i Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve, ai e përdori pozitën e tij për të artikuluar doktrina të errëta në veshët e politikës shtetërore jugosllave. Ai e kritikonte kolonizimin e dështuar të Kosovës pas Luftës së Parë Botërore, kur aty u vendosën ish-ushtarë serbë, me qëllim zëvendësimin e shqiptarëve. Në vend të kësaj, ai propozonte masa më të ashpra dhe më të drejtpërdrejta: dëbim fizik, presion psikologjik, shfrytëzim të administratës, kontroll të propagandës, shpërbërje të identitetit.

Në këtë memorandum thuhej hapur se shqiptarët (të cilët i quan me përçmim “Arnautë”) janë të papërshtatshëm për bashkëjetesë, dhe prandaj duhen dëbuar për në Shqipëri ose Turqi. Në të vërtetë, bëhej fjalë për një plan gjenocidal të kodifikuar, me metoda konkrete të një pastrimi etnik të mirëmenduar dhe të planifikuar në hollësi, nën maskën e “zgjidhjes së problemit shqiptar”.

Më poshtë MekuliPress ju sjell pjesë nga memorandumi serb për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore:

“Dëbimi duhet të bëhet në mënyrë të heshtur, pa zhurmë, por në mënyrë të pamëshirshme dhe të vendosur. Duhet shfrytëzuar çdo mundësi që t’i frikësojmë, t’i shtypim, t’i bëjmë të padurueshëm kushtet e jetesës së tyre, që ata vetë të vendosin të largohen.”

“Më parë theksojmë se nuk duhet të kufizohemi në përçapjet diplomatike vetëm me Ankaranë, por duhet të përdoren të gjitha mjetet për ta bindur Tiranën që të pranojë një pjesë të të shpërngulurve.
Besoj se kjo punë në Tiranë do të ecë me vështirësi, sepse Italia do ta pengojë këtë proces, por të hollat luajnë rol të madh në Tiranë. Gjatë bisedimeve rreth kësaj çështje, duhet vënë në dijeni qeveria shqiptare se ne nuk do të ngurojmë nga asgjë për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështje.

Në të njëjtën kohe, duhet t’i paraqitet mundësia e financimit për kolonizim, mbi të cilat nuk do të ushtrohet kontroll dhe me anë të kanaleve të fshehta mund të angazhohen, eventualisht, njerëzit e shquar në Tiranë që të mos e kundërshtojnë tërë këtë punë.
Turqia është dakort që, fillimisht, të pranojë rreth 200 mijë të shpërngulur, duke cilësuar që këta të jenë shqiptarë e kjo është forma më e pranuar për ne.

Për Shqipërinë tashmë kemi theksuar që duhet punuar për përfundimin e një konvente me të për këtë problem. Në qoftë se nuk do t’ia arrijmë qëllimit, atëhere të paktën të arrihet aq sa për çeshtjen e shpërnguljeve në Turqi të heshtin.
E përsërisim se mjeshtëria e veprimit në Tiranë dhe të hollat e përdoruara në mënyrë racionale, do të mund të luanin rol vendimtar në këtë çështje”.

By