MekuliPress

Një grua norvegjeze është gjobitur me 9000 kr nga policia për një deklaratë që ka nxitur debat të fortë rreth kufijve të lirisë së shprehjes në Norvegji. Ajo kishte thënë:
“Vetëm ju myslimanët i quani vajzat lavire dhe ia mësoni këtë edhe fëmijëve, të krishterët nuk e bëjnë këtë.”

Çfarë ndodhi?

Deklarata u bë në një shkollë, jo në një debat publik apo në internet – gjë që sipas juristëve e ndryshon krejtësisht kuptimin dhe pasojat ligjore. Policia e klasifikoi si sjellje të papërshtatshme dhe shqetësuese, jo si një “fjalë urrejtjeje” në kuptimin klasik të ligjit për urrejtjen (paragrafi 185), por si sjellje e pakujdesshme dhe kërcënuese (paragrafi 266 i Kodit Penal).

Pse nuk do ishte ndëshkuar po të ishte thënë online?

Juristja dhe ekspertja e lirisë së shprehjes, Anine Kierulf, sqaron se konteksti është vendimtar:

“Nëse kjo fjali do të ishte bërë në një debat politik apo si koment online, nuk do të kishte qenë e ndëshkueshme.”
Por kur ajo thuhet në një ambient fizik, veçanërisht ndaj dikujt (si fëmijë ose nxënës), dhe me tone fyese, ajo mund të konsiderohet si shkelje e rendit dhe shqetësim i qetësisë së tjetrit.

Debat i madh në opinion

Shumë e konsiderojnë këtë si një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Redaktori i njohur Vebjørn Selbekk e quajti vendimin e policisë “skandaloz”, duke theksuar se ky lloj qëndrimi është brenda kufijve të mendimit të lirë në Norvegji.

Çfarë është krimi i urrejtjes (hatkrim)?

Jo çdo shprehje e ashpër apo e paragjykuar është automatikisht “fjalë urrejtjeje” apo “krim urrejtjeje”.
Sipas ligjit norvegjez, për një akt që të cilësohet krim urrejtjeje, ai duhet të jetë fillimisht i paligjshëm (si rrahje, kërcënim apo shpifje) dhe të jetë motivuar nga urrejtja ndaj një grupi të mbrojtur (si myslimanët, të krishterët, LGBT, etj.).

Gruaja nuk u dënua për atë që tha, por për mënyrën dhe vendin ku e tha; një kontekst që u konsiderua si shqetësues dhe i pakujdesshëm, dhe jo si pjesë e një debati. Ky rast ngre pyetje të thella për kufirin mes lirisë së fjalës dhe përgjegjësisë sociale, veçanërisht kur minoritetet fetare bëhen objekt sulmesh verbale.

By