Analizë i një mendimi të moçëm por të pavdekshëm.
Nga Gëzim Mekuli
/Njohës i shkencave të mediave dhe retorikës/
“Gjuha është treguesi dhe tipari më i dallueshëm i çdo njeriu dhe i çdo populli; është edhe pasqyra më e qartë e kombësisë dhe e kulturës së saj.
Rruga nga gjuha me shumësinë e të folmeve të saj deri në formimin e gjuhës letrare, paraqitet te çdo popull a komb e mundimshme dhe e gjatë.
Gjuhën letrare e krijojnë pra popujt dhe epokat historike.
Por, gjuhë letrare s’kanë ata popuj a kombe që s’kanë formuar organizma pak a shumë të fortë shtetërorë. Posa të zënë ata të përfitojnë forma më të zhvilluara organizimi shtetëror marrin e mendojnë për punën e njëësimit të gjuhës letrare.”
Po e bëjmë një analizë të këtyre fjalive të moçme, por të pavdekshme; analizë të fjalive, udhërrëfimit dhe mendimit të Idriz Ajetit:
Në këto pak fjali akademiku Idriz Ajeti, një prej figurave më të rëndësishme të albanologjisë, prek thelbin e çështjes së kulturës gjuhësore si themel i identitetit tonë kombëtar. Ai e nis me një pohim thelbësor:
“Gjuha është treguesi dhe tipari më i dallueshëm i çdo njeriu dhe i çdo populli.”
Ky pohim është në përputhje të plotë me konceptin se gjuha është jo vetëm mjet komunikimi, por edhe bartëse e trashëgimisë kulturore, e kujtesës historike dhe e vetëdijes së një kombi. Prandaj, ruajtja, përpunimi dhe njëhsimi i saj nuk janë akte të zakonshme gjuhësore, por akte dhe projekte të rëndësishme kombëtare.
A. Rruga drejt gjuhës letrare është e mundimshme dhe historikisht e ngadalshme
Ajeti na kujton se:
“Rruga nga gjuha me shumësinë e të folmeve të saj deri në formimin e gjuhës letrare, paraqitet te çdo popull a komb dhe se është e mundimshme dhe e gjatë.”
Ky vëzhgim është veçanërisht i vlefshëm për gjuhën shqipe, e cila për shekuj të tërë nuk ka pasur një standard të përbashkët, për shkak të ndarjes në dy dialekte kryesore (gegërisht dhe toskërisht), ndikimeve të jashtme barbare osmane, sllave, greke dhe italiane, si dhe mungesës së një shteti shqiptar deri në shek. XX.
Pra, rruga drejt një gjuhe të njësuar letrare ka qenë e ngadaltë dhe e mbushur me vështirësi, luftë gjak e mundime duke pasqyruar sfidat historike të vet kombit shqiptar.
B. Gjuha letrare si produkt i vetëdijes shtetërore dhe epokave historike
Akademiku, Idriz Ajeti, i harruar nga Akademia, thekson:
“Gjuhën letrare e krijojnë pra popujt dhe epokat historike.”
Kjo do të thotë se një gjuhë letrare nuk lind në mënyrë paushalle e spontane, por është rezultat i një përpjekjeje të organizuar dhe të vetëdijshme nga shoqëria dhe nga institucionet shtetërore e kulturore. Ky është një mesazh i fuqishëm për shqiptarët, sepse na kujton se gjuha e njësuar nuk është kompromis artificial e as bigbrother por rezultat i një etape të rëndësishme historike, që kulmoi me Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972.
C. Pa shtet të fortë, nuk ka njësi gjuhësore
I paharruari Ajeti e thotë qartë:
“Gjuhë letrare s’kanë ata popuj a kombe që s’kanë formuar organizma pak a shumë të fortë shtetërorë.”
Në këtë fjali, ai na ofron një mësim të çmuar, veçanërisht neve ne Kosovë: funksioni shtetëror është kusht për një gjuhë standarde të qëndrueshme. Kjo është posaqesorisht e rëndësishme për Kosovën e viteve të 70-ta kur ky tekst edhe është shkruar; në një kohë kur shqiptarët në Jugosllavi kishin filluar të forconin institucionet arsimore e kulturore në gjuhën shqipe.
Pra, vetëm përmes një organizimi shtetëror të fortë dhe të ndërgjegjshëm, gjuha standarde mund të zhvillohet e të ruhet për brezat që vijnë.
Të nderuar lexues,
A egziston rreziku i përçarjes gjuhësore sot?
Në kontekstin e sotëm, kjo “analizë” është më aktuale se kurrë. Ka individë, media e grupe që e mohojnë gjuhën e njësuar, e poshtërojnë dhe e banalizojnë, duke u përpjekur të kthejnë debatet në linja dialektore apo rajonale. Ky është një kërcënim direkt ndaj bashkimit kulturor shqiptar, dhe bie ndesh me të gjithë përpjekjen shekullore për një identitet të përbashkët gjuhësor e shtetëror.
Konsekuent deri në fund: Njësimi i gjuhës është mbrojtje e qenies sonë kombëtare.
Mendimi shkencor i Ajetit na kujton se gjuha është shpirti i kombit dhe se ndërtimi i saj si gjuhë standarde është detyrë kolektive e popullit, e elitave intelektuale, mediave në Prishtinë dhe Tiranë, pra e dy shteteve shqiptare.
Gjuha e njësuar shqipe nuk është thjesht një standard gramatikor, por është simbol i vetë ekzistencës dhe dinjitetit kombëtar shqiptar.
Çdo sulm ndaj saj ( e sidomos sot) është sulm ndaj kujtesës, identitetit, kombit dhe të ardhmes sonë të përbashkët.
Duke kritikuar, tallur dhe përqeshur me ata që ëndërrojnë “kosovarishten” dhe “kombin kosovar”; mbetjen propagandistike serbe, titiste, jugosllave, neootomane, atyre të unmik-ut dhe armiqëve të gjeopolitikave shqiptare, ne e bëjmë më të parrezikshme përçarjen e kombit shqiptar. Dhe pyetja e mësipërme “A egziston rreziku i përçarjes gjuhësore sot?” bëhet më qesharake dhe më pak dramatike. Apo jo, të dashur lexues?#MekuliPress.com/