Në gusht të vitit 2004 po lexoja veprën “E vërteta mbi Shqipninë dhe shqiptarët” të shkruar nga Pashko Vasa e të botuar në frëngjisht më 1879 në Paris. Këtë vepër e kishte përkthyer në shqip dhe e kishte komentuar Mehdi Frashëri duke e botuar në shtypshkronjën “Tirana” më 1935.

Ndërmjet të tjerash, te “Shënime mbi kaptinën IX” Mehdi Frashëri shkruante:“… Fjalët Gegë dhe Toskë me të vërtetë dhe në mënyrë të saktë nuk dihet se ku e kanë burimin. Mbas mendimit tonë emrat Gegë dhe Toskë janë emra të përveçëm, të cilët në kohëra të vjetra do të kenë qenë emrat e dy të parëve, princër ose mbretër të vendeve përkatëse.

Në malet e Çermenikës ndodhet një shkëmb, të cilit i thonë Gur Gegë; simbas zakonit të vendit ky gur është vendi ku mblidhen periodikisht paria e maleve të Gegërisë për me vendosë ose me ndryshue doket e zakonet.

Emri Gegë duhet të ketë qenë emri i ndonjë ligjvuesi, si Dukagjini, por më i parë se ky, emri i të cilit duke qenë në zë është përgjithësuar për gjithë Gegërinë.…

Gjithashtu edhe në rrethin e Tepelenës, në verilindje të Vjosës, është një vend ku i thonë Bregu i Toskës dhe kësaj krahine i thonë Toskëri.

Prandaj Toska mund të ketë qenë ndonjë i parë që ka vendosur doke e zakone në krahinën e Toskërisë dhe më vonë ky emër do të jetë përgjithësuar e zgjeruar për të emërtuar vendin që zgjatet deri në bregun e Shkumbinit”./ Muhamet Cenko/

By