Arbër Zaimi

Në 1 qershor 2025 Ukraina si pjesë e operacionit luftarak “Rrjeta e Merimangës” kontrabandoi brenda Rusisë qindra dronë sulmues me rreze të shkurtër e njëpërdorimësh, me të cilat dëmtoi rëndë duke disfunksionalizuar së paku 11 aeroplanë bombardues strategjikë rusë dhe disa platforma që i shërbejnë atyre.

Në 13 qershor 2025 Izraeli si pjesë e operacionit ushtarak “Luani që Zgjohet” kontrabandoi brenda Iranit pjesë dronësh që u montuan atje e që më pas u përdorën për të dobësuar mbrojtjen kundërajrore të Iranit dhe për të shtënë në dorë kontrollin e qiejve të atij vendi.

Kundërgoditjet i kemi parë, por siç duken hesapet, taktika të tilla, herë të drejtpërdrejta e herë jo, do të shfaqen shpesh në vitet në vijim.

Dredhia ka qenë gjithnjë pjesë e luftës, Odiseu shpiku Kalin që u kontrabandua brenda mureve të Trojës për fatin e saj të zi.

Luftërat kanë ndikim të madh e të menjëhershëm, jo doemos fatlum, në shumë dimensione të shoqërisë njerëzore, nga të drejtat njerëzore, marrëdhëniet dhe ligjet ndërkombëtare, tek zhvillimi teknologjik, ekonomia, kultura, tregtia e shkenca.

Ky rigjallërim i kontrabandës si taktikë ushtarake sjell në vëmendje nevojën për të kontrolluar e siguruar mirë kufijtë tokësorë, pos atyre ajrorë e kibernetikë. Një mësim do të ishte edhe për vendet tona, sepse kemi ende fqinjë që mund të përdorin dhe kanë përdorur në të shkuarën infiltrimin kufitar apo kontrabandimin e elementëve apo materieve destabilizuese në territorin tonë. Shumë mirë që më në fund Kosova ka siguruar kufijtë e saj veriorë të cilat dikur ishin terren i kontrabandistëve.

Taktika të tilla, që me siguri përdoren nga të gjitha palët, do të shtojnë stres në tregtinë ndërkombëtare e në zinxhirët globalë të furnizimit. Mësimi i dytë për vendet tona do të ishte investimi në disa sektorë të prodhimit, duke i ofruar Europës zinxhirë furnizues më të shkurtër, e sidomos duke furnizuar tregun tonë të brendshëm, qoftë konsumatorin tonë, qoftë turizmin.

By