Si t’ju besojmë (pa) kryeredaktorëve që si burim informacioni e kishin qiftin e Nazmi Bllacës?

A po vishet propaganda si “ekskluzivitet?”

Rrënimi i besueshmërisë së gazetarisë shqiptare është një problem serioz për shëndetin psiqik të shqiptarëve.

E them këtë sepse mediat shqiptare janë zhytur në një krizë të thellë etike dhe profesionale, ku burimet më të dyshimta shndërrohen në lajme kryesore, ndërsa verifikimi, kujdesi dhe përgjegjësia etike janë lënë mënjanë në garën për klikime. Një nga shembujt më domethënës të kësaj çoroditjeje është mënyra se si trajtohet sot figura enigmatike e Nazmi Bllacës.

Një njeri i përfshirë në rrjete kriminale dhe një dëshmitar i kontestuar në proceset më të ndjeshme politike në Kosovë, përfshirë edhe në Gjykatën Speciale në Hagë, Bllaca, ka 15 vite që vazhdon të përdoret nga portale, radio dhe televizione si burim lajmi e si analist, pa asnjë analizë kritike, pa asnjë filter moral apo verifikim të fakteve.

Ai që dikur ishte vetë subjekt i një serie skandalesh, sot citohet si “dëshmitar kyç” në një show mediatik ku sensacioni vlen më shumë se e vërteta.

Ky fenomen i sëmurë gazetaresk nuk është rastësi shqiptare; është pasojë e një kulture mediatike që ka braktisur standardet dhe etikën për hatër të publikut injorant dhe të paedukuar dhe, natyrisht, për ndikim politik.

Të dashur lexues,

Kur media bëhet pjesë e lojës së Beogradit, oligarkisë dhe politikave “alla lista Srbska”, ajo nuk informon: ajo manipulon, shpifë dhe bënë propagandë.

Në vend që të ndriçojnë të vërtetën, shumë prej mediave tona zgjedhin mjegullën dhe terrin dhe në këtë mjegull e në këtë terr, figura si Nazmi Bllaca dalin në pah si “ekspertë”, “analistë” apo “dëshmitarë”, ndërsa publiku mbetet i painformuar, i torturuar, i frikësuar dhe i mashtruar.

Konsekuent deri në fund: gara për të qenë i pari me lajmin po na çon në lajme të pasakta, lajme të rreme, krizë etike, në gabime profesionale dhe në propagandë të moçme të Beogradit.

E propaganda është për demokracinë ajo që dhuna është për diktaturën. Sepse kur shpejtësia zëvendëson të vërtetën, media rrezikon të bëhet vegël e propagandës.

E tashti pyes unë;

1. Si t’ju besojmë, ne publiku, mediave që si burim informacioni e kishin, dhe ende e kan, qiftin e Nazmi Bllacës?

2. Çfarë mediumi je ti, e çfarë (pa)kryeredaktori je ti, kur lejon hapsirën mediatike për këta njerëz që botërisht dihet se ishin lojtarë aktiv në ekip me dreqin?!

By