Katon Plaku, tek dëgjoi njëherë disa veta që po lëvdonin një njeri për guximin e tij të marrë në përleshje, tha se të çmoje shumë trimërinë, ishte një gjë dhe, të përçmoje jetën, një gjë tjetër. Dhe kishte të drejtë. Në ushtrinë e Antigonit ndodhej një luftëtar trim, po i dobët nga trupi e shëndetlig.
Kur mbreti e pyeti se përse ishte aq i zbehtë, ai iu përgjigj se vuante nga një sëmundje e fshehtë. Mbreti atëherë u dha urdhër mjekëve që, po të kishte mundësi shërimi të mos linin mjet pa përdorur. Mirëpo trimi, si u shërua, nuk kuturisej më nëpër rreziqe e as nuk hidhej në mes të përleshjeve.
Kur Antigoni e thirri dhe i shprehu habinë e tij për këtë ndryshim, luftëtari iu përgjigj, pa ia fshehur të vërtetën:
«O mbret, ti vetë ma hoqe guximin, duke më shpëtuar nga ato të liga, që më bënin ta përçmoja jetën».
Me sa duket, po me këtë kuptim e ka pasur edhe një sibarit, kur, duke folur për spartanët, tha se ata s’e quanin për gjë të madhe të vdisnin në betejë, meqë kështu shpëtonin nga një jetë aq e mundimshme dhe e ashpër. Për sibaritët, të cilët ishin squllosur nën lukse e qejfe, ata njerëz që e merrnin në sy vdekjen, të shtyrë nga dëshira për nder e lavdi, me siguri nuk e donin jetën.
Përkundrazi, për lakedemonasit ishin të pëlqyeshme si jeta dhe vdekja, se në të dyja tregonin virtytin e tyre, sikundër dëshmon edhe kjo këngë funebre:
“Dhe vdiqën, se për ta kish bukuri as jeta, as vdekja pa virtyt.”
Pelipoda, Jetë njerëzish të shquar të lashtësisë/ MekuliPress.com