MekuliPress ju sjell tregimin rrënqethës nga lufta në Kosovë. Kësaj here për heroin me katër këmbë, Deltarin Ilir.
Përjetimi i dhimbshëm i Malsor Grajqevcit
“Ky ishte qeni im besnik, Deltari Ilir. Jo thjesht një qen, por shoku im më i ngushtë, mbrojtësi i shtëpisë, dhe dëshmori i heshtur i asaj kohe të errët. Në mes të tymit, zjarrit e britmave të luftës, ai qëndroi përkrah meje; i heshtur, por i pathyeshëm.
Tri herë u plagos duke u përballur me ushtarët-paramilitarët serbë. Tri herë ra për tokë, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga unë, nga shtëpia, nga vendi ku ishte lindur e rritur. Nuk mundesha ta merrja me vete për ta shëruar; nuk kisha fuqi, s’kisha veturë as mjete, pa rrugë shpëtimi. Dhe sa herë mundohesha ta largoja nga fronti i luftës, ai kthehej i përgjakur, me plagë, por me një shpirt që digjte më shumë se çdo flakë lufte.
Çdo herë që largoheshim rreth 500 metra nga shtëpia, ai më ikte. Ecnim, por ai kthehej… drejt e në rrezik, sepse aty ishte zemra e tij – shtëpia jonë.
Dhe vetëm dy ditë para se të hynte KFOR-i, serbët e gjetën, të vetëm, në dhomën ku dikur luanim bashkë. Nuk e lejonte askënd të hynte.
Lehte fort, luftonte me atë pak fuqi që i kishte mbetur. Ishte plagosur, por jo dorëzuar. Dhe atëherë serbët e vranë; jo si një qen, por si një trim që ruante pragun e shtëpisë me jetën e tij.
Ky ishte Deltari Ilir; më besnik se unë vetë, më trim se shumë burra, më i madh se vetë dhimbja. Ai e dha jetën jo vetëm për mua, por për gjithçka që kishte kuptim: shtëpinë, lirinë, dhe dashurinë që s’kishte nevojë për fjalë.
Ai nuk ishte thjesht një qen. Ishte një hero. Dhe unë sot jetoj me mallin, fajin dhe krenarinë për të.”
Malsor Grajqevci/#MekuliPress