Nga Hysamedin Feraj
Njerëzit dhe delet:
-Njerëzit kanë zotësinë e gjykimit sipas ligjeve logjikë dhe ligjeve të arsyes praktike. Delet nuk e kanë.
Njerëzit, për sa janë të lirë gjykojnë vetë, dhunti e dhënë nga Zoti ose natyra. Delet shkojnë kah u prin ose grah bariu.
Kur bariu u grah kah votimi i gjykatës speciale, delet shkojnë dhe votojnë. Pa menduar vetë, sepse nuk e ushtrojnë dot zotësinë e gjykimit.
Kur bariu u grah kundër saj, delet ecin kundër saj.
Kur njeriu që gjykon ua thotë deleve mendimin e njeriut që mendon, delet nuk e kuptojnë fare.
Kur njeriu që gjykon ua thotë njerëzve mendimin e njeriut që mendon, njerëzit e kuptojnë.
Kur njeriu që ka zotësinë e arsyetimit logjik ia thotë deles implikimet e ligjit për gjykatën speciale, delja nuk kupton sepse nuk arsyeton logjikisht si njeriu.
Kur njeriu që ka zotësinë e arsyetimit logjik ia thotë njeriut implikimet e ligjit për gjykatën speciale, njeriu e kupton sepse të gjithë njerëzit kanë të njëjtët ligje logjikë universalë.
Kur njeriu ia shpjegon deles kuptimin e implikimit logjik, delja e shikon pa asnjë ndjeshmëri, sepse nuk kupton asgjë.
Kur njeriu i shpjegon njeriut kuptimin e implikimit logjik, shpjegimi duket gati i tepërt sepse ai e di që tashmë pohimi përmban me domosdoshmëri pasojat.
Prandaj njeriu sapo lexonte pohimet e ligjit për gjykatën speciale, kuptonte pasojat e tij (implikimet e atij ligji). Delja jo!
Njeriu sapo lexonte pohimet e marrëveshjes së Vjenës, kuptonte implikimet e saj për shtetin e Kosovës. Delet jo.
E kështu me radhë për shumë ligje, marrëveshje, letra drejtuar KFOR-it, etj. Njeriu i kuptonte implikimet e tyre. Delet jo.
Madje për njerëzit nuk ishte e vështirë të kuptonin shkatërrimin e shtetit prej tyre. Ndërsa delet as që mund ta kuptonin. Thjesht shkonin kah u grahte bariu.
Interesant është vetëm fakti se disa dele tani janë penduar pse ka pasur çaste kur kanë qenë njerëz!
E TANI, PRA KUSH JANË DELET?
PS. Shkrim i kotë:
Delet nuk do ta kuptojnë sa u tha më sipër dhe as këtë pyetje. Sepse nuk janë të ndjeshme ndaj mendimit, por vetëm ndaj tingujve që shoqërojnë veprime të caktuar te bariut: veprime shpërblyes ose ndëshkues që bien mbi to, jo që bien mbi shtetin. Delet sillen sipas ligjeve të asocimit të “ideve” (Pavllov).
I kotë edhe për njerëzit, sepse këta i dinë tashmë vetë ato implikime që u përmendën.