Reagim i artistit popullor Malësor Preqëkokaj, nga Tuzi

Ministria e Kulturës e Malit të Zi ka dërguar mesazh dhe kërkesë për rrëzimin e bustit të heroit shqiptar Isuf Kamer Çelaj në Vuthaj, me arsyetimin banal se gjoja “Isufi ka bashkëpunuar me armikun kundër Malit të Zi”!
Ndërkohë, para disa ditësh u përurua përmendorja e kryekomandantit famëkeq çetnik Pavle Djurisic në Zaostro, afër Beranes, por reagime nga kjo ministri nuk pati, përveç disa reagimeve të zbehta aty-këtu nga individë të veçantë.

Kërkesa absurde për rrëzimin e bustit të heroit tonë Isuf Kamer Çelaj nuk ka asnjë lidhje me logjikën, sepse heronjtë shqiptarë nuk kanë të bëjnë asgjë me shtetin e Malit të Zi, e as me historinë e tij sllave. Heronjtë shqiptarë kanë luftuar për Shqipërinë, për lirinë kombëtare shqiptare, dhe asnjë logjikë në botë nuk i lidh me “miqësinë apo armiqësinë” me Malin e Zi, përveç rasteve kur ishte e nevojshme të mbroheshin nga Mali i Zi si pushtues.
Nëse do të ndiqnim “logjikën” e ministrisë së Malit të Zi, atëherë do të duhej të rrënoheshin të gjitha përmendoret shqiptare që ndodhen në trojet tona etnike nën administrimin e Malit të Zi, duke filluar nga Skënderbeu, Dedë Gjon Luli, Baca Kurti, e të tjerë.

Në anën tjetër, përmendorja e vojvodës çetnik, gjakpirësit famëkeq Pavle Djurisic, ka shumë të bëjë me historinë e Malit të Zi! Këtu ndahet shapi nga sheqeri, dhe shteti malazez duhet të tregojë orientimin e vet të vërtetë: a është shtet i vlerave europiane, apo shtet i çetnikëve, neo-fashistëve ose shovinistëve ruso-serbë?!

Ministria e Kulturës e Malit të Zi duhej ta dinte se malazezi pro-serb, komandanti i çetnikëve Pavle Djurisic, ishte pikërisht ai që veproi kundër popullit të vet malazez dhe kundër Malit të Zi të pavarur, duke qenë për bashkimin me Serbinë, pra për “Serbinë e Madhe”. Ai ishte gjakpirës i gjithçkaje që ishte kundër frymës çetniko-serbomadhe në Mal të Zi. Ky ishte njeriu që ekzekutoi më shumë malazezë anti-çetnikë sesa vetë fashistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të mos folur për masakrat e çetave të tij kundër shqiptarëve, boshnjakëve dhe popujve të tjerë në Mal të Zi.

Ministria duhej gjithashtu të dinte se heronjtë kombëtarë shqiptarë, siç ishte Isuf Çelaj, nuk kanë të bëjnë asgjë me Malin e Zi, përveçse kanë luftuar kundër kujtdo dhe gjithçkaje që ishte kundër shqiptarëve e shqiptarisë – madje edhe kundër Malit të Zi kur kjo ishte e nevojshme.

Lufta për liri kundër pushtuesit është vlerë, ndërsa ndihma për të pushtuar e masakruar popullin tënd për interesat dhe hesapet e një shteti tjetër është antivlerë, o Ministri e Kulturës e Malit të Zi.
Ndoshta do të duhej të kishit aq kulturë sa të përfaqësonit me dinjitet një ministri të “kulturës”!

A mos donit që heroi shqiptar Isuf Kamer Çelaj të luftonte për Malin e Zi e kundër shqiptarëve, ndërsa malazezi Pavle Djurisic të jetë i pranueshëm sepse luftonte kundër Malit të Zi për Serbinë e Madhe?!
Pfff… çfarë ministrie!

By