Edhe një polic tjetër është plagosur sot gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në Veri, duke çuar në dy numrin e zyrtarëve policorë  të lënduar nga ky operacion.

Burime brenda aksionit policor në Veri të Mitrovicës bëjnë të ditur se ai është plagosur në dorë.

Po ashtu mësohet se polici i parë i cili mbeti i plagosur në këtë aksion i cili u zhvillua në mëngjesin e kësaj të marte në Veri të Mitrovicës, është nga Gjakova dhe është plagosur në pjesën e pasme te kofshës, njofton Klan Kosova.

Ndërkohë serbët lokalë në Zubin Potok kanë bërë barrikadë përderisa janë dëgjuar të shtëna të shumta të armëve.

Situata momentale është e qetë, por ka prezencë të madhe të Policisë së Kosovës.

Një aksion të gjerë ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm Policia e Kosovës. Siç mëson Gazeta Express nga burime të sigurta brenda hetuesisë, nga ky aksion janë prangosur dhjetëra zyrtarë të policisë të nacionalitetit serb.

Deri më tani numri i të arrestuarve ka kaluar mbi 30. Të gjithë këta dyshohet se janë të përfshirë në krim të organizuar dhe vepra të tjera penale.

Në mesin e të arrestuarve ka edhe policë të Kosovës (nga fshatrat e jugut të Mitrovicës). Mirëpo, dominojnë policët e nacionalitetit serb.