Vesna Peshiç – Aktiviste për të drejtat e njeriut

Historitë mbi regjimin e Vuçiçit nuk kanë fund. Duket se nuk ka mbetur për t’u thënë asgje esenciale për të: gjithçka është thënë tashmë në një sërë kritikash dhe komentesh. Vuçiçi dhe shpura e tij janë komentuar deri në detaje, por pothuajse nuk ka asnjë analizë rreth veprimtarisë së opozitës. Vera do të kalojë, dhe zgjedhjet e rregullta po afrojnë. Do të mbahen diku në fillim të vitit të ardhshëm.

Nëse kemi para derës zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale ia vlen të shtrojmë pyetjen se çfarë duhet të shpresojmë. Ekziston përshtypja se opozita është e gozhduar dhe e mbyllur nga të gjitha anët (nga jashtë dhe nga brenda), por edhe në vetvete, sepse partitë e opozitës nuk janë të profilizuara dhe të mirëorganizuara. Meqënëse më duket se ka shumë probleme, mendoj se ka ardhur koha që vëmendja duhet të kthehet nga Vuçiçi në drejtim të opozitës. Për këtë interesohen edhe qytetarët që do të votojnë për të, dhe që shtrojnë pyetjen nëse kemi shanse të dalim nga ky ferr i Aleksandër Vuçiçit.

Pengesë e madhe për t’i bërë një analizë opozitës është mungesa e të dhënave: anketimet janë të varfëra dhe të rralla. Kjo e vendos në një pozitë të keqe opozitën, sepse nga ana tjetër Vuçiçi i merr të dhënat me bazë ditore. Në mënyrë që të vlerësoja sëpaku në mënyrë sipërfaqësore gjendjen e opozitës kam shfrytëzuar disa të dhëna nga portali NSPM (NSPM-Nova Srpska Politiçka misao- mendimi i ri politik serb. Shën. i përkth.) nga muaji prill i këtij viti, që janë publikuar edhe nga revista javore Vreme me datë 16 maj 2019. Pyetjes nëse e mbështetni pushtetin akutal, 44,4% i është përgjigjur se e mbështet, dhe 37% se nuk e mbështet. Në shikim të parë, dallimi edhe nuk është shumë i madh, vetëm dhjetë përqind, gjë për të cilën anketuesi, Gjorgje Vukadinoviç paralajmëron me  të drejtë se kjo është një e dhënë relativisht optimiste, por në praktikë nuk është e tillë. Të gjitha votat për Vuçiçin do të realizohen në numër maksimal, gjë që nuk vlen për opozitën, sepse mbështetësit e saj nuk dalin në zgjedhje në numrin maksimal; përkundrazi, për shumë prej tyre votimi nuk është gjëja e parë dhe më e rëndësishmja, ose edhe se nuk kanë se për cilin të votojnë.

Perceptimi i shumë qytetarëve opozitarë se nuk kanë se për cilin të votojnë, është pak a shumë real. Ky është problemi i parë i madh që sinjalizon problematicitetin e vetë opozitës. Ndërsa partia e Vuçiçit mban shumicën në mënyrë të qëndrueshme, opozita nuk përparon. Pyetjes se, nëse nesër do të zhvilloheshin zgjedhjet, për cilën parti do të votonin, për Partinë Përparimtare të Serbisë (Kryetar Aleksandër Vuçiçi. Shën. i përkth.) do të votonin 44,4%, plus 9,1% ata që do të votonin për Partinë Socialiste të Serbisë (Kryetar Ivica Daçiç. Shën. i përkth.), gjë që vërteton se rregjimi aktual ka më shumë se 50% mbështetje. Nga ana tjetër e spektrit politik, tregohet se gjendja në opozitë është kaotike. Shpresa dhe oferta kryesore për zgjedhjet e ardhshme (ose bojkotimin e tyre), është Aleanca për Serbinë. Megjithatë të dhënat tregojnë se kjo Aelancë nuk bën aspak përpara, ose më mirë të themi nuk po arrin të gërryejë votat e regjimit. Për atë janë deklaruar gjithsejt 14,5% e qytetarëve! Duket qartë se protestat nuk e kanë ndihmuar aspak, gjë që e vërteton edhe e dhëna se numri më i madh i qytetarëve opozitarë, ose 19,2% e tyre, përcaktohet thjesht për opozitën si kategori të përgjithësuar, pa specifikuar se cila mund të jetë kjo. Përcaktimi për partitë e tjera është në përqindje të vogla: vetëm PSG (Lëvizja e Qytetarëve të Lirë, Kryetar, aktori Sergej Trifunoviç. Shën. i përkth) ka 4%, radikalët (Kryetar V. Sheshl. Shën. i përkth.) ka 2%, ndërsa të tjerat pothuajse nuk ekzistojnë. Pra më shumë vota fiton opozita e cila pritet të vijë dhe nuk është askund në fushëpamje. Mund të supozohet se këta 19,2% të opozitës shihen edhe si abstenime, e kësisoj vlerësimi optimist me 37% kundër regjimit nuk është bindës.

Duhet përmendur edhe një anketim që ka kryer Secons (grup i pavarur aktetues i profesorëve të katedrës së sociologjisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Beogradit), që ka anketuar pjesëmarrësit e protestave në Beograd. Doli se 55% e protuestuesve nuk do të votonin për Aleancën për Serbinë, që gjë tregon se Aleanca nuk i ka mirë punët edhe në radhët e tyre. Do të thoja se opozita nuk është e formuar as politikisht dhe as nga pikëpamja organizative. Ajo nuk ka arritur të imponohet si alternativë e regjimit, që të dalë me mendimin e saj për problemet në vend, të dalë nga skemat e vjetra e të konsumuara që në kohën e Milosheviçit, dhe as t’ia përafrojë politikën e saj qytetarëve që janë të orientuar kundër regjimit në fuqi. Edhe përkundër numrit të madh të liderve opozitarë nuk dihet se kush e udhëheq opozitën. Dhe pa interpretatorë drejtues dhe të pranueshëm të programit dhe orientimit partiak konfuzioni është i plotë. Kjo gjë më së shumti vërehet në Aleancën për Serbinë, mbështetja e dobët për të cilën vjen nga fakti se ajo është një konglomerat partish të dhe orientimesh politike nga më të ndryshmet. I grumbullon vetëm ideja për zgjedhje të lira, por kjo nuk është e mjaftueshme dhe nuk arrin deri te shumica e qytetarëve. Ndoshta gjendja do të kishte qenë më e mirë sikur mediat të ishin të lira, por kjo luftë është nga ato më të vështirat, sepse ky regjim mbështetet te bllokimi i mediave të lira.

Aleanca dhe disa parti jashtë saj janë vetëm për çështjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe tani pritet përgjigja e Vuçiçit. Nga fakti nëse regjimi do të pranojë zgjedhje të lira dhe të ndershme varet fakti nëse Aleanca (si dhe disa parti të tjera opozitare) do të marrin pjesë në zgjedhje. Do të pritet deri në vjeshtë që pushteti të vendosë, dhe nëse nuk arrihet ndonjëfarë marrëveshje, Aleanca do të bojkotojë zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm dhe do të fillojë një fushatë për bojkotimin e tyre.

Deri tani Vuçiçi nuk ka reaguar ndaj kërkesave të opozitës, ai nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të pranojë të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme. Raporti mes opozitës dhe pushtetit nuk ka ndryshuar me asnjë presje. Tabloidët punojnë me kapacitet të plotë, Radiotelevizioni shtetëror është i mbyllur për opozitën, trupat e Vuçiçit dhe vetë Vuçiçi vazhdojnë të sulmojnë me të gjitha forcat “pushtetin paraardhës“ (si dhe disa media të lira dhe të gjithë liderët opozitarë), në mënyrë kaq konsistente dhe të fuqishme, saqë pas shtatë vitesh është arritur në një situatë interesante. Sepse është pikërisht kjo fushatë që ka shpënë në atë që Vuçiçit të përceptohet si „e keqja më e vogël“, dhe pushteti i dikurshëm (në në krye Partinë demokratike) si “e keqja më e madhe“. Profesor Ogenjen Radonjiçi ka të drejtë kur thotë se nuk ekziston “e keqja më e  vogël“, por vetëm zgjedhje më pak e keqe, për të cilën, si rregull, voton shumica (gjë që nuk është bash kështu qëkur po mbretëron populizmi neoliberal).

Nëse Vuçiçi nuk bën lëshim, dhe nga ana tjetër, opozita vendos për bojkotin, është me dobi të marrë në shqyrtim eksperiencën e Shqipërisë me zgjedhjet lokale që sapo përfunduan atje, si dhe reaksionin e faktorit ndërkombëtar ndaj bojkotit të zgjedhjeve, i cili ia arriti qëllimit në mënyrë perfekte. Partia e Edi Ramës fitoi në 60 nga 61 njësi vendore, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ishte vetëm 21,6% (opozita e atjeshme pohon se pjesmarrja në zgjedhje ishte gjithsejt 15%). Edi Rama tha se zgjedhjet lokale treguan “fitoren e Shqipërisë europiane“, ndërsa udhëheqësi i opozitës tha se “farsa zgjedhore u hodh tej me një urrejtje të përmasave epike“. Bojkoti i sukseshëm tregoi se mund të ekzistojë vetëdije e lartë që në zgjedhje jodemokratike të mos merret pjesë. Për hir të së vërtetës edhe demonstratat e tyre ishin më të ashpra se tonat, ndërsa edhe Partia e atjeshme Demokratike është shumë popullore, gjë që është diametralisht e kundër me situatën te ne. Është mëse e qartë se një “bojkot shembullor“ i tillë nuk është i mundur të realizohet në Serbi.

Megjithatë reaksionet e mediave perëndimore ishin interesante, të cilat janë të papranueshme dhe të frikshme. Ata i vlerësuan këto zgjedhje pozitivisht! Mbështetën mafiozin Edi Rama edhe pas bojkotit të zgjedhjeve jodemokratike. I shohim këto deklarata, të cilat ndoshta edhe për ne do të mund të ishin të njëjta, domethënë që mafia jonë me në krye Vuçiçin do të merrte mbështetje.

Zëdhënësja e komisioneres së lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë tha se zgjedhjet lokale u mbajtën në atmosferën e ndasive politike, por në mënyrë të qetë dhe të rregullt (nënvizimin im. Autorja). U bëri thirrje partive politike që të angazhohen urgjentisht për tejkalimin e krizës, duke shtuar se organet e sapozgjedhura duhet të jenë në gjendje të punojnë në përputhje me kompetencat kushtetuese në interes të qytetarëve. Pastaj mori pozicionin e pedagoges dhe mësueses ballkanike, duke thënë se pushteti dhe opozita duhet të shfaqin “pjekuri politike dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv për tejkalimin e situatës aktuale politike“. Shefja e Misionit vëzhgues  të OSBE-së, sikur të mos kishte ndoshur asgjë, në mënyrë rutinore, u bëri thirrje aktorëve politikë për të punuar në interes të të gjithë qytetarëve, dhe jo vetëm në interes të atyre që i mbështetin. Komenti amerikan ishte pafytyrësia më e madhe. Ambasadorja në Tiranë mbështeti vlerësimin e OSBE-së, duke vlerësuar se zgjedhjet ishin të qeta dhe u realizuan në mënyrë të rregullt. Bojkotimin e zgjedhjeve ajo e quajti „ngërç politik dhe polarizim“ dhe u bëri thirrje aktorëve politikë që të bien dakord për shtetin e së drejtës, punën e institucioneve dhe hapjen e rrugës për demokracinë.

Edhe sikur opozita jonë të rregullohej dhe të organizohej mirë, gjë që është një pikëpyetje e madhe, dhe të realizonte një bojkot bindës (gjë që është pothuajse e pamundur në një kohë që partia në pushtet është më popullorja), duhet ditur se në fund të fundit do të marrë një shuplakë siç e mori opozita shqiptare: regjimi mafioz në Serbi do të merrte mbështetje. Kësisoj kjo është një bazë për të filluar të mendohet mbi atë se çfarë duhet bërë që të forcohet dhe organizohet opozita në Serbi, e cila për shkaqe të saj, por edhe për shkak të propagandës vrastare të regjimit, është disi e dobët dhe nuk ka arritur nivelin e alternativës bindëse ndaj regjimit aktual, i cili është vetëm një vazhdim i politikës së Millosheviçit, nga e cila Serbia po shkatërrohet që prej tridhjetë vjetësh. Mund të çlirohemi vetem me forcat tona, por me një kusht: atë që opozita të shfaqë një synim të fortë që Serbia bëhet antare e BE-së. Këtë tema opozita e ka lënë mënjanë dhe është prapa pushtetit, i cili së paku bën sikur dëshiron që Serbia të antarsohet në BE.

Burimi: Politiko.al

Përktheu: Xhelal Fejza