Mediat “e lira” private transmetojnë kongresin partiak të Ramës, drejtpërdrejt.

Arbër Zaimi

Në Shqipërinë e asfaltit më të shtrenjtë dhe rrugëve më të këqija. Në Shqipërinë ku mërgohet më shumë se nga cilido vend i kontinentit. Në Shqipërinë ku rinisë së papunë i jepet hashash, instagram, festivale dhe diploma pa vlerë. Në Shqipërinë ku fëmijët e bizneseve që thithin tenderë e koncesione jetojnë në shtëpi dhjetra milionë euroshe, ndërsa fëmijët e popullit jetojnë me prindët e me gjyshërit në të njëjtën banesë të vogël. Në Shqipërinë ku falimentohen bizneset shitëse a prodhuese, të vogla e të mesme që të lulëzojnë hipermarketet e importuesve të mëdhenj. Në Shqipërinë ku parlamenti ka nivelin më të dobët të shekullit të fundit, e ku media drejtohet nga interesat e tenderëve dhe koncesioneve të pronarit. Shqipërinë që garon për vende të para në listat kontinentale sa i përket pafuqisë blerëse, papunësisë, mangësive në përkujdesje sociale, mungesës së cilësisë në arsim a shëndetësi, vogëlsisë së rrogës mesatare, perceptimit të korrupsionit, ndotjes së ambientit, betonizimit të natyrës a privatizimit të saj, etj.

Rama aty deklamon “kemi bërë edhe punë gabim”.

Aksioni më konfirmues i gjendjes së demokracisë në Shqipëri do të ishte një tubim i madh në shesh, i atyre që ende nuk e kanë lëshuar vendin, ku të themi njëzëri “nuk ke bërë kurrë, asnjë gabim”.