Shefi i shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri duke përmendur Albin Kurtin të cilin ditë më parë e quajti ‘Mr.Bean”, tha se ai është bërë merak tash e një muaj, se pse ai ka qenë i lumtur me nominimin e Vjosa Osmanit, për kryeministre nga LDK.

Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, Lutfi Haziri tha gjatë një tubimi me qytetarët e Klinës, se kundërshtarët politikë janë munduar t’i bëjnë “sehire” Lidhjes Demokratike të Kosovës, por që të njëjtit kanë mbetur të zhgënjyer.

Haziri: LDK është rikthyer në besim në familjet e qytetarëve

“Ai që unë i them unë ‘mr.Bean’ është bërë merak ta di pse unë kam shkuar i lumtur në takimin, dhe kam qenë i lumtur pas rizgjedhjes së Isa Mustafës kryetar dhe se është nominuar Vjosa Osmani për kryeministre, iu ka bë merak që një muaj nuk po i bie në fije pse unë kam qenë më i lumturi. Dëshiroj t’i them nga Klina se kurrë më i lumtur se atë ditë nuk kam qenë. Sheshi i Prishtinës mbrëmë dhe kjo sallë tregon që LDK tregon se ne jemi unifikuar, dhe besimi ynë është në Vjosën. Ata që kanë pritur dhe kanë bërë ‘sehire’ natën për të përçarë LDK-në, me thyer edhe në copat e saj, kanë dalë të zhgënjyer, kanë për të mbetur të zhgënjyer për jetë, sepse LDK është rikthyer në besim në familje që është program i Vjosës”, tha Haziri.

Ai tha se sot janë kthyer në Klinë që të falënderojnë qytetarët për pjesëmarrjen në manifestimin e mbrëmshëm në Prishtinë.