Pano Soko

Kjo puna e Shengenit Ballkanik më kujton një shprehje popullore “Të zinjtë kolonjarë, vanë për bar, e morën trarë..” Po pavarësisht të gjithave. Hajde për një moment abstragojmë nga fakti që Rama po e bën këtë si kundër-përgjigje për mos-hapjen e negociatave nga BE (të cilat realisht nuk u hapën si përgjegjësi e plotë e Qeverisë shqiptare). Domethënë po i thotë Europës “Ju s’më merrni në Bruksel, unë shkoj në Novi Sad nga inati.” Gjithsesi le ta shohim të zhveshur nga kjo. Pyetja që unë kam është “Ku po shkojmë?” Iniciativa të tilla më shqetësojnë vërtet. E para sepse jam i paqartë. Është një projekt i paqartë, peng i një tog-fjalëshi shabllon, por aspak transparent.
-Kush është qëllimi i këtij operacioni?
-Sa i thellë do të jetë fuzioni mes vendeve? A flitet për një union doganor, apo shkon edhe më thellë?

-A ka një projekt të qartë nga A-ja te ZH-ja apo është një gjë “Të dali ku të dali”?

– A ka një shqiptar që e njeh gjithë projektin?

Në thelb po shesim pjesë të sovranitetit ekonomik kombëtar, a jemi të qartë për këtë?Nëse po, a po përfitojmë gjë nga kjo?
A ka dikush që e di t’iu përgjigjet këtyre pyetjeve?

E dyta. A e kanë të qartë ata që e mbështesin këtë projekt se qendra e gravitetit ekonomik të rajonit është Serbia?
Të jesh qendra e gravitetit ekonomik do të thotë të kesh shifrat më të mëdha ekonomike dhe të kapitalit të dislokuar, popullsinë më të madhe dhe më të pasur, popullsi me “know-how”-n më të lartë dhe me moshën më të re.
Serbia ka GDP 3 herë më të madhe se e jona, ka 2.5 herë më shumë banorë, dhe e ka GDP për frymë 130% sa e jona.

Marrveshje të tilla FTA, natyrshëm që favorizojnë më të madhin në kurriz të më të dobtëve. Sillni në mend Gjermaninë në Europë.
Në këtë lojë, size does matter (madhësia ka rëndësi).
Logjikisht, nëse një bulldogu dhe një chihuahua, nuk i ushqen më në tasa veç e veç, por racionin e të dyve ua hedh në një tas të përbashkët, është bulldogu ai që do të hajë dhe nga racioni i chihuahua-s. E kundërta s’ka shance të ndodhë.