Ish -deputetja e LDK-së Besa Gaxherri,  thotë se refuzon t’i komentojë deklaratat e Xhemile Deharit, nënës së  të ndjerit Astrit Deharit, e cila mbrëmë në një paraqitje televizive ka kërkuar nga ish deputetja Gaxherri që të tregojë arsyen se pse ia ka quajtur djemtë e saj Astritin dhe Arbnorin terroristë.

Në një prononcim për media, Gaxherri thotë se megjithëse ka respekt për një zonjë e cila po qëndron e fuqishme mendërisht pavarësisht dhimbjes së madhe që po përjeton, shton se është sqaruar në një seancë të  mëparshme të Kuvendit kohë më parë lidhur më këtë çështje.

Gaxherri thotë se në vazhdimësi ka kërkuar përgjegjësi ndaj shtetit për rastin Dehari, meqë i ndjeri ‘ka ndërruar jetë në burg e jo në rrugë’.

Unë nuk dua t’i komentoj deklaratat e zonjës Xhemile, sepse kam respekt për atë grua që po qëndron e fortë pavarësisht dhimbjes së madhe që ka përjetuar. Megjithatë unë jam sqaruar kohë më parë kur më pati përmend zonja Xhemile. Unë vazhdimisht kam kërkuar që shteti të japë llogari pavarësisht a ka qenë vrasje apo vetëvrasje”, tha Gaxherri.

Gaxherri ka komentuar edhe ekspertizën e institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanës për rastin e Astrit Deharit, duke thënë se kjo është një bazë e mirë për hetuesinë që të zbardhë këtë rast. Madje, thotë se ky rast nuk ka të bëjë vetëm me Astritin, por me gjithë Kosovën.

“Tash që doli raporti është një bazë shumë e mirë që institucionet përgjegjëse të ndriçojnë këtë rast. Sepse, ky rast nuk ka ë bëjë më vetëm me Astritin, por me të gjithë Kosovën, me fëmijët tanë, me të ardhmen tonë’, shprehet Gaxherri.

Kujtojmë se në seancën e datës 28 mars të vitit 2017, ish- deputetja e LDK-së  kishte mbajtur një fjalim përmes të cilit është përgjigjur Xhemile Deharit, kur e njëjta e kishte kërkuar sqarime nga deputetja se mbi çfarë baze e ka quajtur Astrit Deharin terrorist.

“Unë nuk e kam njohur birin tuaj Astritin, para vdekjes së itj as si emër. Astritin dhe pesë të akuzuarve për të njëjtën vepër, nuk ua kam ditur emrat. Faktikisht, unë kurrë asnjëherë, në asnjë rast, nuk kam theksuar asnjë emër të akuzuar për asnjë rast që kanë ndërmarrë aktivistët e Vetëvendosjes. Sepse unë kam njohuri dhe aq besim në drejtësi si dhe unë nuk kam asnjë qëllim personal me asnjë shqiptar të Republikës së Kosovës”, kishte deklaruar atëkohë në Kuvend, Besa Gaxheri.