Presidenti Trump ka bërë në ditën e sotme një deklaratë mjaft të fortë në drejtim të Italisë, duke i kërkuar daljen nga BE-ja dhe eurozona, për të filluar negociatat rreth një marrëveshje të gjerë tregtare me Amerikën.

Kjo deklaratë është bërë gjatë një interviste radiotelefonike me kryetarin e partisë ‘Brexit’, Nigel Farage, i cili ka nisur fushatën elektorale për zgjedhjet e 12 Dhjetorit në Angli.

Trump propozon që dalja e Italisë nga BE-ja duhet të bëhet në stilin e ‘Brexit’ dhe se kjo do t’i mundësonte këtij shteti një perspektivë më të mirë ekonomike.

“Ju jeni të bllokuar brenda BE – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë, duke komentuar krizën britanike – Italia dhe shumë vende të tjera do të ishin shumë më mirë pa Bashkimin Europian. Nëse këto vende duan të qëndrojnë në BE, është punë e tyre, por dijeni se në Europë është e vështirë të negociosh me liderët e Brukselit, ndërsa me mua gjithçka do të ishte më e lehtë”.

Ky koment i presidentit Trump vjen në një kohë kur në Europë po zhvillohet një debat i madh i brendshëm, për mundësinë e daljeve të shteteve të tjera nga Eurozona.

Italia gjithashtu ka pasur goxha mosmarrëveshje me Komisionin Europian në lidhje me strukturat e saj buxhetore dhe politikat e ndjekura të emigracionit.

Gjithashtu, Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk i ka fshehur asnjëherë kritikat e tij për Brukselin, të cilin ai e konsideron një antagonist të Uashingtonit, dhe mbase ai e sheh Romën një kryeqytet që mund ta ndihmonte Trump të dobësonte ose të shpërbënte Bashkimin Europian.