E ngutshme dhe jo mirë e menduar, po vlerësohet nga Federata Sindikale e Shëndetësisë, deklarata e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, se mjekët duhet të zgjedhin mes sektorit publik dhe atij privat.

Kryetari i saj, Blerim Syla, ka thënë se qeveria e re fillimisht duhet të bëjë një analizë për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i shëndetësisë.

Sipas tij, nëse plani i Kurtit zbatohet, duhet të rriten edhe pagat për mjekët specialistë.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, në anën tjetër, thotë se një vendim i tillë do të duhej të vlente për të gjitha profesionet dhe sektorët.

Sejdiu ka deklaruar se janë pro idesë që të bëhet një monitorim i mirëfilltë i punës së mjekëve në sektorin publik, por është shprehur skeptik nëse ideja e Kurtit është e zbatueshme, raporton ktv.

Gjykata Kushtetuese në vitin 2013, shfuqizoi nenet e Ligjit për Shëndetësi, ku ndalohej ushtrimi i profesionit të mjekut në sektorin privat dhe publik.