Vajza ime e madhe, Olivia, u prek nga fruthi në moshën 7-vjeçare. Ndërsa sëmundja ndiqte kursin e vet, mbaj mend se i rrija pranë shtratit dhe i lexoja. Pa dyshim që kujdesesha për time bijë, por pa u alarmuar. Kur një mëngjes, ndërsa mendoja se vajza ishte drejt përmirësimit, vura re se lëvizja e duarve të saj nuk koordinohej me mendimin, pra me atë që duhej të bënte.

-Ndihesh mirë? – e pyeta.

-Jam si përgjymësh, – më tha.

Brenda orës ime bijë humbi ndjenjat. Pas 12 orësh, ndërroi jetë.

Kjo ndodhi 24 vite më parë, në vitin 1962. Por edhe sot, nëse një fëmijë me fruth zhvillon encefalit, ashtu siç ndodhi me time bijë, mjekët vështirë se mund të bëjnë shumë për ta shpëtuar.

Por prindërit sot kanë një zgjidhje; ka një mënyrë se si të sigurohen që një tragjedi e tillë mos t’u ndodhë fëmijëve të tyre. Vaksinat!

Po, prindërit duhet të vaksinojnë fëmijët e tyre për t’i mbrojtur nga fruthi. Për mua ishte e pamundur pasi në vitin 1962 ende nuk ishte zhvilluar një vaksinë kundër kësaj sëmundjeje.

Problemi është se gjerësisht, fruthi nuk trajtohet si sëmundje vdekjeprurëse.

Më besoni, e tillë është.

Prindërit që, për arsye nga më të ndryshmet, refuzojnë të vaksinojnë fëmijët e tyre, i  vënë ata në rrezik.

Këtu në Britani, një numër i madh prindërish, për shkak të kokëfortësisë apo injorancës, ende refuzojnë të vaksinojnë fëmijët. Për këtë arsye, mijëra fëmijë preken nga fruthi çdo vit.

Nga këto raste, të paktën 10 mijë fëmijë vuajnë efekte anësore apo komplikime shtesë si pasojë e infeksionit.

Të paktën 10 mijë fëmijë vuajnë nga infeksionet e veshit apo mushkërive.

Të paktën 20 fëmijë vdesin.

Mosvaksinimi i fëmijëve është krim.

Dy prej librave të mi i kam dedikuar sime bije. “Gjiganti i madh i mirë” e kam shkruar pas vdekjes së saj.

E di mirë se sa e lumtur do të ishte po ta dinte se sëmundja dhe vdekja e saj ka ndihmuar fëmijë të tjerë nëpër botë.