Lucas Nam, përfaqësues i kompanisë Yura që ka investuar në Fier pas një odiseje zvarritjesh me administratën shqiptare ka dhënë një intervistë për revistën “Monitor” ku përërit sërish problemet që nuk mbarojnë.
Burokracia ende është problematike. Për shembull, disa persona nga stafi ynë korean nuk ka marrë ende lejen për punë dhe qëndrim për shkaqe që nuk i kuptojmë, thotë Nam.
Një konstatim që ngjan paradoksal kur sheh se kryeministri lobon për shitur nënshtetësinë ndërkohë që njerëzit që punojnë për të nuk lëshojnë leje qëndrimi. Nam shprehet jo entuziast edhe për lehtësitë që ofron investimi në Shqipëri, pavarësisht se propaganda zyrtare përpiqet të flasë për një hapësirë me shumë pak taksa etj..
Ne do të prodhojmë njësi kabllore elektrike për makina të thjeshta pasagjerësh. Do të prodhojmë njësitë kabllore për motorët e KIA dhe Hyundai për vitin e parë 2020.
Kemi përfituar nga lehtësitë që na jep pa qira tokën për 60 vjet, por ama vetëm kaq. Asgjë tjetër. Ne kemi fabrika në pesë vende në Europë por fatkeqësisht incentivat e Shqipërisë janë më të dobëtat.
Kostoja e prodhimit është e ulët për shkak të kostos së ulët të punës. Por kostot e tjera janë të larta, përfshirë këtu energjinë, logjistikën apo aspekte të ndryshme. Por ka dhe diçka tjetër, eksporti drejt Bashkimit Europian është më i shkurtër dhe më i lehtë. Ndaj nëse klima e biznesit përmirësohet, industria automotive do të vijë më shumë në Shqipëri.
Prodhuesit kanë nevojë edhe për kushte të tjera, pasi kostoja e ulët e punës nuk është gjithçka. Infrastruktura, furnizuesit lokalë, logjistika dhe stabiliteti politik janë elemente të rëndësishme që ndikojnë në vendimmarrje. Grupe më të mëdha prodhuesish me kapital më intensiv kanë nevojë për kushte të tjera që i bën ata të kenë plane më të qarta biznesi dhe siguri në afatgjatë, thotë Nam.