Në fshatin tim prej vitesh s’kisha qenë
Dhe malli më kish djegur e zhuritur,
Atje më dukej hëna tjetër hënë
Siç thosh dikur Naimi mendjendritur.

Në çezmë ndala t’ia dëgjoja fjalët,
Që vetëm unë i merrja vesh aq mirë;
Por shkela në një gur të rrumbullakët
Dhe gjurin e dërrmova në errësirë.

E mora gurin në pëllëmbë qetë
Dhe thashë i lodhur, zhytur në mendime:
“Për pak të shava keq, o gur i shkretë,
Sikur mos ishe nga vendlindja ime!”

1984

Dritëro Agolli – Udhëtoj i menduar (1985)