Nuk është hera e parë që shprehen njerëzit e thjeshtë, qytetarët profesionistë ose jo, për rrezikun e tërmetit. Ne e dimë se Shqipëria është një zonë aktive sizmike, gjë që presupozon vëmendje të lartë në mënyrën e ndërtimit si dhe në infrastukturë.

Kur shpreheshin kundër ndërtimeve pa leje dhe të çorganizuar, qytetarë të tjerë në kulmin e indiferencës gjykonin se bëhej fjalë për paranojë. Kur vijmë në këtë pikë, po të njëjtët të thonë se njerëzit që bëhen merak po merren me politikë.
Por ç’kemi bërë gjatë këtyre viteve. Kemi ndërtuar në zona të rrezikshme, kemi zhdukur hapësirat e lira urbane mes ndërtesave, kemi prekur tërë ndërtimet me ndërhyrje të pakontrolluara vetëm për hir të biznesit dhe me leje të korruptuara, dhe kemi ndërtuar me materiale të pakontrolluar. Shteti nuk është asgjë nëse ai nuk është bashkësia e masave të sigurisë në raste fatkeqësish. Dëgjoj shpesh njerëz që thonë se tërmeti do të bjerë, se është natyror, por asnjëherë nuk është thënë se këtu ka rënë më së pari koncepti i shtetit.


Prekja e ndërtimeve ka nisur që me legjislaturat e para pas ndryshimit të regjimit. Një drejtim barbar i shtetit lejoi të ndërtohet vend pa vend, pa kriter, pa infrastrukturën e nevojshme. Puse janë shpuar kudo dhe depozitat janë zbukurimi më modern i tarracave të godinave shqiptare. Shkollat janë rrethuar nga të gjitha anët prej ndërtesave që zënë pozicione nga më të ndryshmet, ku asnjë shërbim emergjence nuk do të hynte me lehtësi në rast rreziku. Ndërtesa të çdo moshe dhe çdo epoke është sot e prekur nga krisjet.


Ministrja e mbrojtjes para do kohësh na deklaroi se ushtria jonë, si pjesë e NATO-s nuk e kishte më për detyrë mbrojtjen e sovranitetit, atë na i mbronin grekët dhe italianët, por do të ishte një trupë e specializuar për katastrofat natyrore. Ja ku e kemi katastrofën. Ajo nuk matet me të vdekur, por me numrin e mundshëm të tërmeteve potencialë. Numri i shtëpive të shembura nuk njihet, sepse ne nuk kemi asnjë shtab të saktë emergjence, ne nuk dimë se cili duhet të bëjë çfarë.


Ndihma e këtij populli është e pashoqe, sepse ajo zëvendëson gjithnjë shtetin e munguar. Ama ndërtimet e kullave vijojnë në Tiranë. Tirana ka përmbytje, por unë nuk jam specialist për me dit nëse tharja e tokës së brendshmi dhe përmbytja prej lart kanë pasoja të tjera. Nuk ka në Shqipëri më asnjë prej instituteve që punonin vetëm në përcaktimin e ekspertizave dhe sjelljeve të ekzekutivit për menaxhimin e pasurive, burimeve dhe njerëzve. Një prej instituteve studimorë dhe projektues kryeministri e shndërroi në teatrin Arturbina, pikërisht për të shembur Teatrin Kombëtar për me e zëvendësu me 6 kulla. Teatri Kombëtar, i deklaruar si në rrezik, i ka qëndruar tërë lëkundjeve pa më të voglin problem.


Shihet që ne nuk kemi si ta shtrojmë problemin, sepse ne kemi grumbulluar tërë problemet, i kemi shtuar. Tërmeti nuk luftohet me korrupsion, por me nteligjencën maksimale të qeverisjes së burimeve. Tani që flasim, në lumin Vjosë ka shpime të cilat natyrisht bëhen për interes të ndonjë oligarku. Mes tërmetit të parë dhe të dytë, ishte shembja e shtëpive të Astirit, ndërsa vetë kryeministri shfaqi me krenari shtëpinë e tij të stilizuar si bunker, e cila natyrisht që do i qëndrojë tërmeteve më mirë se pallatet parafabrikate për të cilët askush nuk është kujdesur. Kombinimi është i shkëlqyer midis një shteti që nuk i njeh detyrat e veta, dhe një populli që nuk i njeh të drejtat e veta.
Dhe ne sot vrasim njerëz edhe me Gërdec, edhe me tërmet, edhe me migrim, edhe me paligjshmëri. Nuk di se për çfarë mund të mendojë e punojë një njeri në trojet tanë. Normalisht që njeriu mund të projektojë të ardhmen e vet në paqe.

Por nuk mund të punojë shtetndërtimin në kushte emergjente. Një popull që ngutet për të shpëtuar kokën, nuk mund të fusë kurrë në punë mendjen. Nuk besoj se ne kemi ndonjë vetëdije sot për çka mund të ndodhë nesër. Këtu nuk duhet ndihma vullnetare, por organizimi shtetëror. Më mirë pak ndihmë dhe e organizuar, se sa shumë vullnetarizëm në anarki.
Shresoj se “ra ky tërmet dhe u pamë” me krizën tonë shtetformuese.