Nga Mentor KIKIA
Numri më i madh i viktimave u shkaktua në dy pallate të kalbura në
Thumanë, të nxjerra jashtë përdorimit me kohë, dhe në disa ndërtesa të
ngritura pa asnjë kriter teknik në zonën e ish kënetës dhe në plazhin e
Durrësit. Të mos ngrejmë sytë nga qielli e te themi: Natyrës dhe Zotit
nuk kemi ç’i bëjmë. Katastrofa ndodhi nga një zonë ku ndërtimet, me
ligj, duhet të përballojnë deri në 8 ballë. Por u shembën në 6.3 ballë.
Tërmeti nuk varet nga ne. Por ndërtimet po, varen nga ne. Dhe numri i
viktimave do të kishte qenë shumë më i vogël.
Por përmasat e
katastrofës janë shumë më të mëdha. Ne sapo kemi filluar të paguajmë
gjëmën që i kemi bërë vetes. Në Durrës mijëra njerëz kanë ngritur shtëpi
në një zonë që është 2 metra nën nivelin e detit(ish këneta) dhe ku nuk
ka ansjë infrastrukturë kullimi. Holandezët jetojnë nën nivelin e
detit, por kanë një jetë që projektojnë si ta përballojnë.
Në zonën e plazhit, pallate e hotele të ndërtuara mbi rërë kanë pësuar
dëme serioze, edhe pse nuk janë shembur. Në Kavajë, Vorë, Fushë Krujë e
Laç, mijëra shtëpi e pallate janë dëmtuar.
Pasi të varrosim të
vdekurit, politikanët duhet të qepin gojën dhe fjalën tua lënë
studiuesve. Lagje të tëra mund të duhet të rrafshohen. Dhe duhet të
bëhet. Atë që nuk e bënë dot shteti dhe qeveritë e paafta e të
korruptuara, po e bën tërmeti. Deti përparon drejt tokës, ndërsa
ndërtimet përparojnë drejt detit. Me dhe pa leje, me dhe pa projekte, me
dhe pa inxhinierë. Një katrahurë gjigande ka mbushur vendin me ndërtime
të frikshme.
Pas kësaj duhet të përcaktohen kritere të rrepta për standardet e ndërtimit.
Nga kjo fatkeqësi duhet të nxirren mësime e të merren vendime që të
shërbejnë për dekadat e ardhëshme. Të shkojnë në burg ndërtues e
inxhinierë, që për të shkak të fitimit, janë shndërruar në vrasës. Ata
qe kane ndertuar e ata qe kane dhene leje.
Ti jepet fund epokës, kur
një ndërtues(ai që ka ngritur atë grataçelën e tmerrshme tek Shkëmbi i
Kavajës), sa herë arrestohej, kur e lëshonin ngrinte edhe katër kate të
tjera pa leje, derisa e çoi në katin e 21.