Arbër Zaimi

Vazhdon solidariteti në gjithë Shqipërinë e Kosovën me të prekurit nga tërmeti në luginat e Erzenit, Ishmit e Matit. Populli i bashkuar nuk ka për t’u gjunjëzuar.

E tërmeti grisi mbulesën e prodhuar nga politika, influencerat, VIP-at, televizionet, dhe një pjesë e vogël e shtresës së mesme të lartë, dhe zbuloi varfërinë e mjerë të Shqipërisë.

Shqipëria i ka banorët gjerësisht e thellësisht më të varfër edhe se Kosova e Maqedonia. Por, dhe ky nuk është paradoks, Shqipëria ka njëkohësisht më shumë super-të-pasur, më shumë oligarkë, më shumë restorante luksoze, më shumë media private, më shumë spektakël të shtrenjtë. Modeli ekonomik i Shqipërisë: monopolizim, kartelizim, përqendrim i parave te një përqindje e vogël e popullsisë, siç duket nuk ka “trickle down”. Janë po këta që kanë vrarë konkurrencën dhe kanë zhdukur bizneset e vogla e të mesme, madje dhe ato të mëdha. Shqipëria ka përfunduar vetëm me minibiznese personale buzë falimentit dhe me kartele e superbiznese monopoliste, nuk ka më mes. Këta kanë ndërtuar në mënyrë katastrofale, këta marrin tenderë e koncesione dhe shtrojnë asfaltin më të shtrenjtë në Evropë. Janë këta bamirësit që fitojnë miliarda e dhurojnë miliona… Shqipëria nuk është viktimë e tërmetit, sa është viktimë e tyre.