Para drejtësisë ndërtues dhe supervizorë abuzues
Verifikimi i pallateve dhe godinave, që u rrëzuan nga tërmeti i 26 nëntorit duke shkaktuar 50 viktima dhe dëme të mëdha materiale ka nxjerrë në dritë, se ato i përkasin ndërtimeve të pas vitit 1990. Në mënyrë paradoksale ndërtimet e para viteve 1990 kanë rezultuar të qëndrueshme dhe të paprekura nga tërmeti.
Ky fakt flet qartë se kompanitë e ndërtimit, që mbinë si kërpudhat pas shiut në rreth tri dekada post-komuniste nga marzhi i lartë i fitimit, kanë abuzuar në përdorimin e kodeve europiane , të detyrueshme për mbrojtjen nga tërmeti. Në mënyrë kriminale kompanitë abuzuese kanë përdorur cilësi të ulët të betonit dhe hekurit, për të shpenzuar sa më pak dhe rritur sa mëshumë fitimet. Krahas ndërtuesve të tillë një zinxhir abuzuesish të tjerë: supervizorë dhe bashkiakë që kanë bërë një sy qorr dhe një vesh shurdh kur në godina janë shtuar kate më shumë sesa leja e dhënë nga bashkia duke e bërë godinën vulnerabël ndaj tërmeteve.
Kryeministri Rama tha në mbledhjen e qeverisë, se abuzuesit do të dalin para drejtësisë. “Për ata që ndërtojnë për fitim sanksionet do të jenë të tmerrshme dhe pa hapësië për gjykatësit. Burg për supervizorët, arkitektët, ndërtuesit që abuzojnë. Arkitektët që nuk denoncojnë ndërtuesit që u deformojnë projektin do të dënohen”, theksoi kryeministri Rama. DW