‘Poem kosovar’ – Mitrush Kuteli
Kënga e katërt: Ndërtimi
I bje arës mes për mes
e gjer në brez,
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të Babës tim,
të Birit tim;
sot e përpjet,
jetë pas jet!
Dhe ndje qysh flet
me zë të qet
im Atë vet
nga balta posht;
Të mbroni Dhenë
ku eshtrat kam,
ku hi e tokë
e pluhur jam…
Të mbroni Dhenë
që e ushqe’
dhe sot si dje;
me kurmin tim…
Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot-
po kurrë lot!
as sot, as mot!….
Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!
Jam eshtër-madh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.
Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
më rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj….
Të pash të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhandërma.
Desha të qaj e s’qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot.
pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot.
Kënga e pestë: Qëndrimi
Tani,
tani,
unë jam gati!
të vdes që sot-
se rroj përmot;
mbytyr me gjak
por jo me lot,
për këtë Dhe
që e kam si fe
e përmbi fe.
E kam Vatan!
E kam Atdhe!
Hej!
po buças me zë kaba
sa të dëgjohet në qiell la
sa të dëgjojë fund e krej
kush gjak shqiptari ka në dej.
Shaban- vëlla!
Destan- baba!
Hej!
Komb i lirë kosovar,
ti komb shqiptar,
ti Zot krenar
ti djalëri- ti pleqëri
bëju gati!
Bëhu gati
për vrull të ri;
ta djegësh botën
ta bësh hi;
për Liri!
Për Shqipëri!
Tani
tani!
-O Mal i Zi-
ja un,
ja ti!
Po un- jo ti,
se jam këtu kur s’kish njeri
dhe as kufi
as fqinjëri…
Un jam këtu kur Mal i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati-
Sa mban e gjitha Shqehëri,
Ish Iliri!
Kur nga një det në tjatrin det
isha Zot vet!
Se jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën – fushë
e malin mal.
Un jam këtu
e do të jem
– dem baba dem-
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri!
1943