Arbër Zaimi

Xhelal Sveçla nuk shkon në takime krye n’vete. Ai është aktivist, dhe nga më të disiplinuarit, asnjëherë s’ka kërkuar të përfitojë nga Lëvizja, as ka kërkuar protagonizëm, por ka marrë përsipër rreziqet e goditjet për Lëvizjen, siç e ka kërkuar situata.

Xhelal Sveçla ka qenë këso kohe i ngarkuar me detyrë për të punuar me minoritetet, dhe ka kontribut të madh në sigurimin e mbështetjes së minoriteteve për qeverinë Kurti, e cila do të jetë qeveria më stabile dhe e fortë që ka pasur Kosova në 10 vitet e fundit, me mbështetje të fortë në parlament, në popull dhe në skenën e politikës së jashtme.

Në fotot e servuara prej tjerrësve humbës nuk duket asnjë shtrëngim dore a përqafim. Dje ka qenë darka hapëse e konferencës, e jo kafe. Xhelali është ftuar në tryezë me drejtuesit e CIG dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, dhe ka biseduar me ta. Ata e kanë ftuar aty edhe përfaqësuesin e qeverisë serbe, M. Gjuriq. Kush mendon se në rast të tillë Lëvizja duhet të braktisë tavolinën, dhe të lërë që me gjermanët e aleatë të tjerë të flasë vetëm qeveria serbe, e kanë gabim. Kush mendon se këto darka pune janë të parëndësishme, po ashtu e kanë gabim. Pikërisht në këto darka pune fitohen mbështetjet apo refuzimet, simpatitë apo antipatitë, më shumë se sa në vetë takimet zyrtare ku secili mban një fjalim dhe shkon.

Kam dëgjuar argumentin se Xhelali duhet të sulmohet njësoj siç ka sulmuar Lëvizja më parë të tjerët. Ky argument është kryekëput gabim dhe i padrejtë. Lëvizja kundërshtimet e saj i ka patur të pajisura me kritikë për marrëveshjet e dëmshme. Kurrë Lëvizja nuk ka kritikuar askënd thjesht për takim. Madje as thjesht për marrëveshje. Por vetëm dhe ekskluzivisht ka kritikuar marrëveshjet e këqija, të dëmshme, duke sqaruar opinionin publik se pse ato marrëveshje janë të dëmshme. Psh. për marrëveshjen e lidhur mes Kosovës e Serbisë për njohjen e diplomave universitare, Lëvizja nuk ka kundërshtuar, përkundrazi, ka kritikuar faktin se ajo marrëveshje nuk po zbatohet. Shembull tjetër, e kemi kritikuar Edi Ramën për mini-shengenin që garanton hegjemoninë tregtare të Serbisë në rajon etj. por vazhdimisht i kemi thënë bëre mirë që vajte në Beograd dhe kërkove njohjen e Kosovës nga Vuçiqi.

Qëndrimet e Lëvizjes nuk kanë qenë kurrë “Jo takime”, por “Jo negociata (mbi statusin e Kosovës)”. Sepse për ne pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës nuk janë diçka që mund të negociohet, janë fakt i kryer.

Lëvizja nuk do ikë nga tryezat e nga ballafaqimet, dhe kudo do të punojë për të fituar mbështetjen e aleatëve, të cilën e kanë dobësuar shumë hajnat inatçorë dhe shërbëtorët e tyre. Qëndrimi politik i Lëvizjes është reciprociteti me Serbinë, dhe ky qëndrim dalëngadalë po fiton mbështetjen e aleatëve tanë, sepse është i drejtë. Secili aktivist që ngarkohet nga Lëvizja për t’ia thënë këtë qëndrim edhe qeverisë së Serbisë, do ta bëjë këtë detyrë pa hezitim. Madje edhe vetë Albini. Madje edhe vetë Vuçiqit ka për t’ia thënë qëndrimet tona, sa herë të jetë nevoja. Le të jenë fajtorët e kriminelët ata që ikin prej tavolinave, e jo ata të cilët mbrojnë të drejtën.