Tue lexue “Gjarprijt e gjakut”
Nga Hasan MEKULI
“Libri i Demaçit „Gjarpijt e gjakut”, pa marrë parasysh atê se çka ka thanë dhe për çka ka folë, âsht tejet interesant dhe i mirë si krijim letrar. Ka në tê vërtetë edhe mjaft gjana të cilat japin shkas që lexuesi herë-herë të jetë në dymendje, të cilat japin rast për nji kritikë kësisoji ose asisoji. Por edhe për kët gjâ do të bâjmë fjalë. Madje, as vepra e Demaçit, si literatura në përgjithsi, nuk ka nevojë me u mbrojtë nga ekskluzivitetet dhe mungesat. „Gjarpijt e gjakut” janë, vërtetë, nji libër pak i zgjanuem dhe mu këtu, sidomos në pjesën e parë, autori do të mundte me bâ shum, por kjo mungesë plotsohet me nji varg elementesh, që dëshmojnë se auktorit i âsht krejt e qartë, se çka janë e si duhet të jenë në kushte të caktueme format e literaturës. Libri i tij âsht fort i pasun me langje jetsore të pame dhe të përjetueme. Faqet e tij i ka krijue jeta vetë, e kjo âsht me kët rast gjâja mâ e randsishme, pa marrë parasysh faktin — si dhe sa. Shkrimtari nuk ka ecë „përpara”, nuk ka ecë para jetës, por e ka ndjekë besnikisht dhe analitikisht. Kur do lexuesa t’interesuem e pyetën, jo fort moti — se a egzistojnë me të vërtetë Sejdi Goxhufi ose Abaz Gjuka ose Emin Maloku, ai u përgjegj: „Nuk e dij se a egzistojnë me të vërtetë me këta emna, dhe se a janë prej Gollaku a Llapi; por sigurisht egzistojnë; kam njoftë shum njerëz që u ngjajnë edhe Sejdi Goxhufit edhe Abaz Gjukës edhe vehtjeve tjera të mija. Unë e njof shum mirë Sejdi Goxhufin.”
Dhe, i besojmë auktorit, Ai me të vërtetë i njef mirë vehtjet e tija, gjithashtu na jep mundsi me i njoftë edhe na. Megjithatê nuk ka bâ gjithçka që secili të mbetet në veshjen e vendin e vet, që secili të flasë me gjuhën e vet dhe me at të shprehun të çfaqi mendimet e veta dhe filozofin e vet. Njerzit e Demaçit, katundarët, ndoshta janë tepër filozofa dhe flasin me fjalë të bukura. Filozofija e tyne âsht megjithatê popullore, malsore.
(…)
Ta përmendim edhe nji herë — Demaçi âsht auktor shum i ri e kjo gjâ ka randsi shum të madhe, sepse shpresa dhe e ardhshmja e letërsis sonë qendron në rinin e auktorëve të saj, në rinin e atyne që nuk duen dhe nuk orvaten me kthye format e saja kah rrjedhat dekadente të të shprehunit abstrakt dhe largimit me qëllim të kuptirnit (qoftë për shkak të mungesës së botëkuptimit, qoftë për shkak të mungesës së talentit), por përkundrazi bâjnë çmos me ruejtë at bukuri jetike të motiveve dhe të shprehjes së rrjedhshme, çka ka qenë prore kualitet letrar. Kjo gjâ âsht, kuptohet, jeta e popullit me të gjitha ndërthurjet dhe peripetit e veta, sepse aty gjinden, aty kanë qenë prore burimet e vërteta të letërsis. Ajo letërsi, që në zhvillimin e vet nuk ushqehet n’ato burime të vetat, që harron nevojat qensore dhe interesat e turmave së cilës i dedikohet, âsht, në të vërtetë, dogmatike dekadente, e ndukun mu në rrâjë. „Bukurija” e nji letërsije asisoji âsht, në të shumtën e rasave, shkëndi e iluzionit snobist edhe e atyne që e krijojnë edhe e atyne që ngazllehen me te, tue deklarue në mënyrë apodiktike se „ky âsht art!”, se çashtja qëndron vetëm në „kulturën dhe erudicionin” e lexuesit, nëse ai do të mundet me kuptue dhe pranue nji letërsi t’atillë. Kët gjâ ka qenë nevoja me e përmendë, jo vetëm me rastin e diskutimeve rreth Demaçit, por edhe për arsye se edhe te na, përditë e mâ tepër, po çfaqen epigonët (shum të ndieshëm tek e fundit, për çdo vërejtje) dishepujt e abstrakcionizmit për shkaqe krejt të kuptueshme — që me anën e tij të munden me kamuflue, si talentin, ashtu edhe „kulturën dhe erudicionin” e tyne shterpan. Prandej edhe diskutojnë, por prap vetëm verbalisht, se kjo ose ajo âsht letërsi moderne, shprehje moderne, estetike, psikologjike, etj. Mirëpo jeta dhe letërsija prejse dihet e deri më sot, e edhe sot, kanë tregue e tregojnë se prore ka qenë dhe âsht moderne ajo që âsht e qartë, që ka qëllimin dhe kuptimin e vet.
▪️▪️▪️
Ajo që gjithsesi do të duhej me i thanë shkrimtarit menjiherë âsht fakti se ky ka shkrue veprën mâ t’angazhueme në prozë deri më sot te na, e kjo flet vetëvetiu edhe për vleftën e saj. Edhepse âsht mbështetë mjaft në vegime fantastike dhe legjendë, ky âsht shum i afërt me realitetin, të cilin na jemi të detyruem dhe duhet ta njofim. Ky na nxjerr pada në sqenë njerëz të cilët na dëshirojmë me i pa të vorfun ose në primitivizmin e tyne fisnik, ose të zhytun në paragjykime dhe tipa të deklasuem katundarësh. Demaçi âsht gjithnji pothuej bashkë me kët katundarin tonë dhe kemi arsye me besue seriozisht, se ky interesim i tij do të rritet në nji analizë larg ma serioze të qëndrueshme dhe gjithënjerzore, të çashtjeve sociale, dhe politike, etike dhe tjera, të cilat kanë randsi vitale për letërsin tonë. Njoftja e tij bukur e gjanë dhe e hollsishme e këtij elementi, i jep impuls të fuqishëm opusit të tij letrar, prandej te ky hasim trajta serioze dhe letrare.”
“Jeta e re”, 1958