Kur je sëmurë, kërkon që të bëhesh mirë sa më shpejt. Por disa nga sjelljet tuaja mund të jenë duke i bërë edhe më keq simptomat. Në mënyrë që ta kaloni sa më shpejt, shmangni këto gabime kur jeni me grip:
- Vazhdoni rutinën tuaj
Edhe pse me grip, shumë prej nesh ruajnë rutinën e përditshme. Mos e bëni këtë. Trupi ka nevojë për energji për të luftuar virusin e gripit. Bëjeni pushimin prioritetin tuaj. Anuloni planet që keni dhe qëndroni në shtëpi nga puna apo shkolla. Përveç se do ndihmoni në përmirësimin e shëndetit, në këtë mënyrë do të shmangni dhe përhapjen e gripit në personat që ju rrethojnë.
- Injoroni simptomat e gripit
Shumë persona mundohen ta kalojnë gripin pa u konsultuar me mjekun. Nëse gripi është i lehtë, kjo nuk është problem, por nëse përjetoni simptoma si temperaturë e lartë që nuk ndalet, dhimbje trupi dhe pafuqi për t’u ngritur nga shtrati, konsultohuni me mjekun tuaj. Mund t’ju japë ilaçe antivirale që t’jua bëjë më të lëhtë kalimin e gripit.
- Nuk bëni mjaftueshëm gjumë
Mungesa e gjumit dobëson sistemin tuaj imunitar, gjë që e bën më të vështirë luftimin e infeksionit. Një studim zbuloi se personat që bëjnë 6 orë gjumë në natë kanë 4 herë më shumë mundësi për t’u sëmurë se sa ata që bëjnë 7 orë gjumë.
- Merrni antibiotikë
Antibiotikët nuk do t’ju bëjnë të ndiheni më mirë. Ata vrasin bakteriet, por gripi shkaktohet nga viruse. Afërsisht një e treta e antibiotikëve janë të panevojshëm. Konsumimi i tyre mund të rrisë rrezikun e efekteve anësore si diarrea dhe reaksionet alergjike. Gjithashtu kontribuojnë në një problem të madh global të shëndësisë: rezistenca antibiotike.
- Nuk pini mjaftueshëm ujë dhe lëngje të tjera
Kur ju dhëmb fyti, nuk është e lehtë të pini lëngje. Por, kur qëndroni të hidratuar, mund të holloni mukusin dhe të kaloni zënien e hundëve dhe fytit. Hidratimi gjithashtu ndihmon në kontrollin e dhimbjeve të kokës. Sigurohuni të pini sa më shumë ujë.
- Nuk hani mjaftueshëm
Mund të mos keni shumë oreks, por është e rëndësishme të hani diçka. Kaloritë dhe lëndët ushqyese u japin energji qelizave imunitare që luftojnë viruset e gripit. Rezultati: mund ta kalosh më shpejt gripin.
- Pini duhan
Duhanpirja dëmton mushkëritë dhe irriton fytin tuaj. Kjo mund t’i përkeqësojë simptomat e gripit. Kështu që mos pini duhan dhe qëndroni larg vendeve ku ndodh kjo.
- Jeni të stresuar
Një hormon që trupi prodhon kur jeni të stresuar ndikon negativisht në sistemin tuaj imunitar. Gjithashtu mund të rrisë inflamacionin, gjë e cila e përkeqëson zënien e hundëve.