Tregoni dikush LDK-së që i ka humbë zgjedhjet 🙂

Për ta arritur koalicionin parazgjedhor LVV-LDK e për ta hedhur në opozitë tërë koalicionin PAN, LVV i pat bërë një ofertë gjeneroze LDK-së: Presidentin e Kosovës, Kryetarin e Kuvendit, Zëvendës-Kryeministrin e parë dhe gjysmën e ministrive. Madje, LVV pat qenë edhe më gjeneroze se kaq, duke i ofruar LDK-së koalicion edhe për një mandat tjetër, në të cilin LDK-ja do ta kishte postin e Kryeministrit.
Po të bëhej ky koalicion, me siguri do t’i fitonte 70 ulëse dhe bashkë me minoritetet do ta zgjedhte Presidentin e Kosovës pa asnjë problem. Siç e dimë, LDK-ja e refuzoi ofertën e sipërpërmendur, e bindur se nëse shkon e vetme në zgjedhje fiton edhe më shumë. Por, LDK-ja i humbi zgjedhjet, e tash po kërkon që ofertën e para zgjedhjeve ta ketë edhe pas zgjedhjeve. Epo, JO, sepse pas zgjedhjeve fitues ka dalë LVV e jo LDK. Është një parim që quhet ‘rebus sic stantibus’, i cili thotë se marrëveshja (në këtë rast oferta) vlenë deri sa nuk ndryshojnë rrënjësisht rrethanat, e rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht – tregoni dikush LDK-së që i ka humbë zgjedhjet.

P.S.
Presidenti i Kosovës duhet të jetë: dikush që përfaqëson unitetin e qytetarëve të Kosovës; dikush me integritet të lartë moral, qytetar e intelektual; dikush që nuk ka lidhje me asnjërën prej partive politike; dikush që zgjedhet me konsensus të të gjitha partive politike në Kosovë…