Mungësa e hekurit ndodh kur trupi nuk ka mjaftueshëm mineral hekur, gjë që çon në nivele të ulëta të qelizave të kuqe të gjakut. Kjo sepse hekuri i nevojitet organizmit për të prodhuar hemoglobinën, një proteinë në qelizat e kuqe të gjakut, që u bën të mundur atyrë të qarkullojnë oksigjenin në trup.

Nëse trupi nuk ka mjaftueshëm hemoglobinë, indet dhe muskujt nuk marrin mjaftueshëm oksigjen për të punuar ashtu siç duhet. Kjo çon në atë që quhet anemi.

Shkaqe të zakonshme të anemisë përfshijnë marrje të pamjaftueshme të hekurit për shkak të dietave të varfëra apo kufizuese, sëmundje inflamtore të zorrëve, rritje e kërkesave për hekur gjatë shtatzënisë dhe humbje e gjakut gjatë menstruacioneve apo gjakderdhjeve të brendshme.

Shenjat dhe simptomat e anemisë ndryshojnë, duke u varur nga sa e rëndë është anemia, sa shpejt zhvillohet, mosha dhe gjendja shëndetësore. Në disa raste mund të mos përjetohet asnjë simptomë.

Disa nga shenjat dhe simptomat më të shpeshta të anemisë janë:

  • Lodhje jo e zakontë

Ndenja e lodhjes është një nga simptomat më të zakonshme të anemisë, duke prekur më shumë se gjysmën e atyre që kanë këtë sëmundje. Kjo ndodh sepse trupi ka nevojë për hekur për të prodhuar proteinën hemoglobinë, që gjendet në qelizat e kuqe të gjakut. Kur trupi nuk ka mjaftueshëm hemoglobinë, më pak oksigjen arrin në inde dhe muskuj, duke shkatuar mungesë energjie. Për më tepër, zemra duhet të punojë më shumë për të lëvizur gjakun e pasur me oksigjen në trup, e kjo mund të shkaktojë lodhje. Meqë lodhja shpesh konsiderohet si një pjesë normale e jetës mund të jetë e vështirë që anemia të diagnostikohet vetëm me këtë simptomë.

  • Zbehja e lëkurës

Lëkura e zbehtë dhe zbehtësia e brendësisë së kapakëve të poshtëm të syve janë shenja të tjera të zakonshme të mungesës së hekurit. Hemoglobina në qelizat e kuqe të gjakut i jep ngjyrën e kuqe gjakut , kështu që nivele të ulëta gjatë mungesës së hekurit e bëjnë gjakun më pak të kuq.

Kjo zbehëtsi në njerëzit me mungesë hekuri mund të shfaqet në tërë trupin, ose vetëm në një zonë, si përshembull fytyrë, mishrat e dhëmbëve, brenda buzëve, thonj etj.

  • Vështirësi në frymëmarrje

Kur nivelet e hemoglobinës në trup janë të ulëta edhe nivelet e oksigjenit do të jenë të ulëta. Kjo do të thotë që muskujt nuk do të marrin mjaftueshëm oksigjen për të kryer aktivitete normale si ecja. Si pasojë, shpejtësia e frymëmarrjes do të rritet ndërkohë që trupi mundohet të marrë më shumë oksigjen.

  • Dhimbje koke dhe marrje mendsh

Mungesa e hekurit mund të shkaktojë dhimbje koke. Kjo simptomë është më pak e shpeshtë se ato paraardhëse dhe shpesh shoqërohet me marrje mendsh. Për shkak të niveleve të ulëta të hemoglobinës, truri nuk merr mjaftueshëm oksigjen e si rezultat i kësaj, enët e gjakut në tru mund të zmadhohen, duke shkaktuar presion dhe dhimbje koke.

  • Rrahje të shpejta të zemrës

Për shkak të niveleve të ulëta të hemoglobinës, zemrës i duhet të punojë më shumë për lëvizur oksigjenin. Kjo mund të çojë në rrahje të parregullta të zemrës, ose në ndjesinë që zemra po rreh shumë shpejt.

  • Flokë dhe lëkurë të thatë e të dëmtuar

Kur trupi ka mungesë të hekurit, e drejton oksigjenin e limituar që ka drejt funksioneve më të rëndësishme si organet dhe inde të tjera të trupit. Kur flokët dhe lëkura nuk marrin oksigjen, mund të bëhen të thatë dhe të dobët. Kjo sjell dhe në rënie të flokëve më shumë se sa është e zakonshme.

  • Enjtje dhe dhimbje të gojës dhe gjuhës

Gjuha mund të enjtet, të zbehet apo të jetë çuditërisht e lëmuar. Gjithashtu mund të shkaktohet një tharje e gojës apo shfaqja e çarjeve rreth gojës.

  • Thonj të dobët

Anemia mund të shkaktojë thonj të dobët e që thyhen lehtë.

  • Këmbë dhe duar të ftohta

Mungesa e hekurit shkakton që të dërgohet më pak oksigjen në këmbë dhe duar. Disa njerëz mund ta ndjejnë të ftohtin më shumë se sa zakonisht apo të kenë vazhdimisht këmbë dhe duar të ftohta.