Ligjet e Kanunit kan shërbyer për shumë kohë si norma shoqërore dhe si një sistem vetëqeverisës që mbizotëronte në viset e malësive të Shqipërisë së Veriut në kohën kur rajoni sundohej nga Perandoria Osmane.
Kanuni ka një rëndësi themelore në historinë e popullit shqiptar pasi që është një dokument i lashtë.
Forma e parë e tij e shkruar i referohet Lekë Dukagjinit edhe pse konsiderohet që ekzistonte shumë më parë e që i përkiste tradiave të goj’dhënave të trashëguara brez pas brezi. Libri i Kanunit të Lekë Dukagjinit u përmblodh me shënime nga At Shtjefën Gjeçovi gjatë viteve 1910-1925.
Ja çfarë thuhet në kanun mbi detyrat e gruas dhe burrit në familje:
Detyrët e burrit dhe grues
32. Detyrët e burrit ndaj grues
a) me u përkujdesë për veshë e mbathë e për gjithshka të lypet për me mbajt jeten;
b) me e ruejtë nderën e grues e mos me e lanë me u ankue për kurrnji nevojë.
Detyrët e grues ndaj burrit
a) me i a ruejtë nderin burrit;
b) me i rrogue pa zhibla;
c) me i ndejt nënë sundim;
d) m’u përgjegjë detyrave të kunorës;
e) me rritë e me mkambë fmin me nderë;
f) me i ndejë gadi me të veshmen e të bathmen (kah e qepmja)
g) mos me i u përzie në fejes të të bijave e bijve.
Kanuni është ligj apo përmbledhje e ligjesh dhe normash të pashkruara, të trashëguara në mënyrë gojore, që pasqyrojnë gjendjen ekonomike-shoqërore të periudhave të kaluara dhe që në kohën e vet mbronin interesat e klasave e të shtresave të caktuara shoqërore, si dhe tërësia e normave të së drejtës zakonore.
Prejardhja e termit “Kanun” siç dihet, ka ngjallur diskutime ndërmjet autorëve të ndryshëm shqiptarë. At Gjergj Fishta në parathënien dinjitoze të Kanunit të Lekë Dukagjinit shprehet se “rrjedh nga greqishtja e vjetër “Anon” që u përhap edhe në gjuhë të tjera”.
Historiani Kristo Frashëri mendon se termi “kanun” është me origjinë bizantine dhe se rrjedh nga termi “Kanon”.
Autorë të tjerë thonë se në Shqipëri ky term hyri nëpërmjet turqishtes “kanun” dhe “Kanuname”.
Pavarësisht se nga se rrjedh ky term e si u përhap në Shqipëri është fakt i pamohueshëm se termi u pranua në të gjitha variantet e kanuneve shqiptare deri në Kosovë.