Zgjimi natën është diçka normale. Shumë nga ne përjetojmë deri në 20 mini – zgjime në orë pa e kuptuar. Ndërsa për sa i përket zgjimeve të ndërgjegjshme, shumica e njerëzve kanë dy ose tre në natë. Por, vetëm një pjesë e tyre e kanë të vështirë që t’i zërë gjumi përsëri , menjëherë pasi zgjohen.
Po çfarë duhet të bëni që ta keni më të lehtë që t’ju zërë gjumi?
- Mos rrini duke parë orën
Rezistojini tundimit për të parë orën apo kontrolluar telefonin. Numërimi i minutave të gjumit të munguar që nga koha e zgjimit rrit stresin dhe ankthin, gjë që mund t’ju vonojë rënien në gjumë. Për më tepër, ekspozimi ndaj dritës blu dhe të gjelbërt nga ora, telefoni, tableti apo komjuteri juaj mund t’jua shtojë pagjumësinë.
- Rehatohuni
Shkoni në banjë, nëse keni nevojë. Sigurohuni se dhoma juaj e gjumit është e freskët dhe e errët, dhe që nuk ndiheni as shumë nxehtë as shumë ftohtë.
- Trajtoni problemet shëndetësore
Nëse keni sëmundje apo dhimbje kronike, ose edhe probleme afatshkurtra me shëndetin që shkaktojnë parehati, ndiqni këshillat që ju ka dhënë mjeku për të ulur dhe qetësuar dhimbjet gjatë natës.
- Relaksohuni
Provoni të bëni disa ushtrime të vogla me muskujt tuaj, në mënyrë që ata të qetësohen. Për shembull tensiononi (shtrëngoni) për 5 sekonda muskujt që mundeni dhe pastaj lirojini menjëherë. Merrni frymë thellë dhe qetësojeni trupin tuaj.
- Ndiqni rutinën e përditshme të nesërmen
Mos flini më gjatë në mëngjes, mos flini gjatë ditës nëse nuk e bëni zakonisht dhe mos u ulni më herët për të fjetur në darkë. Mund të ndiheni pak më të lodhur se zakonisht gjatë ditës, por kjo mund t’ju bëjë që të flini më mirë natën.